E Diel, 1 Nëntor 2026

Krujë, sajon pengmarrjen për të shlyer kredinë

 KRUJE - Synonte të paguante kredinë bankare, duke vënë në skenë një akt të paqenë pengmarrjeje. Por hetuesit e Policisë së Qarkut Durrës-Krujë nuk e kanë “gëlltitur” rrengun, duke zbardhur ngjarjen dhe duke vënë në dispozicion të drejtësisë autorin, i cili veç mashtrimit do të përballet me togat e zeza edhe për zotërim ilegal narkotikësh dhe lëndësh plasëse. Bajram Ndreu një 50-vjeçar nga qyteti i Krujës është arrestuar në kushtet e flagrancës rreth orës 01:00 të mëngjesit, rreth 2 ditë pas “zhdukjes”. Në një kasolle të ndodhur në fshatin Picrragë të Krujës, hetuesit kanë kryer një kontroll të befasishëm, duke nxjerrë që aty “pengun” Bajram Ndreu, i cili ishte vetëfshehur. Me shpresën se policia do të paguante për lirimin e tij shumën e konsiderueshme, prej 500 mijë lekësh të reja, Ndreu kishte sajuar trukun. Gjatë kryerjes së veprimeve të para hetimore, nga verifikimi i telefonave u konstatua dhe u pranua nga shtetasi Bajram Ndreu se mesazhet dhe telefonatat ishin kryer nga ai vetë dhe se simulimi i pengmarrjes kishte si qëllim përfitimin e shumës për shlyerjen e një kredie bankare. o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›