BERISHA NEGOCIATOR, RAMA NGERÇ
1.
Përgjatë Elektoriadës 2009, kreu i PS-së, Edi Rama, thënien provokative “Të marrim shtetin” e përdori si referencë e refren në mënyrë të përsëritur, bile edhe gjashtë herë në një fjalim, çka nuk ishte një emocion elektoral apo për efekt të politikës zgjedhore, por tashmë shihet qartë se është një psikologji e filozofi e tij, e shfaqur si hienë dhe gangrenë në aksionin politik të dyshimtë “Të hapen kutitë”(!).
Së parit, ngriti turma në protesta me gërvallet “Të rrëzojmë Qeverinë Berisha” në një kohë kur në Greqi, pas flakëve, po vinte një qeveri e re në pushtet; kur në Kosovë kërkohej në mënyrë klandestine një “qeveri e re” (riformatim koalicioni); kur në FYROM kërkohej nga pala shqiptare në qeverisje një “freskim” i kabinetit qeveritar. Thjesht, shtrohet pyetja (jo)intime: Kush e dirigjon këtë skenar ballkanik: të njëkohshëm (2009), bile edhe në një terren gjeopolitik shqiptar, në të njëjtën mënyrë (ndryshime qeverish!).
Së dyti, në kontenierët politikë të Edi Ramës dëgjojmë zëra zgavellianë që flasin për disa modele të protestave të tyre: si ai “portokalli” (Ukrainë 2004), i “flakëve” (Greqi -2009), i “kallashnikovëve” (Shqipëri – 1997) etj., ndaj ripyesim: Kush po orkestron në pentagramin e protestave me cilësimet në “mbarë vendin”, “të mëdha”, “të pandalura” etj., e me solfezh “Të marrim shtetin”(?!).
Së tretit, deshifrimi i (ç)politikës të tij për krijimin e një “fronti të majtë” të çon në situata të ndezura (ndër)konfliktuale si ato të mëhershmet për pushtet pasmukjan në “mes partizanëve e ballistëve”(!).
Së katërti, thirrjet “Të hapen kutitë” janë kaq ajsberige, asimetrike e azmatike në stadin kur presim integrime euro-atlantike si statusin e vendit kandidat në BE e Lëvizjen e Lirë të Shqiptarëve në hapësirat “Shengen”, saqë të përngjason me inskenimin e “Kanalit të Korfuzit” për të larguar anglo-amerikanët nga Shqipëria e Shqipërinë nga Perëndimi.
2.
Edi Rama kërkon negociata e negociatorë, e kjo nuk ka asnjë të keqe, po e keqja më e madhe qëndron tek vetë ky lider i së majtës, që nuk është “njeri i negociatave” po i ngërçeve politike, si brenda partisë së vet, aleatëve të vet dhe në rrjedhat e lartësitë e demokracisë shqiptare.
Së pari, Rama ka treguar se nuk ulet në negociata as me të “llojit” të vet biologjik politik, si me Nanon apo me Metën (qershor 2009), po as me “të tijtë” të LMN-së në parti si me Blushin, Islamin, Malaj etj (2010). Ndryshe, krejt ndryshe, Berisha ka negociuar me Nanon (në shkurt 2007 – për bllokazhin elektoral), me Metën (2009 - për koalicion qeveritar), me Pollon (2008 - për aliazh politik), me Cekën e djathtë që po rrinte në të majtë (2009 - për koalicion elektoral) etj. Së dyti, Rama kërkon negociata demokratike me kërcënime antidemokratike. Këtej thotë: “Berisha ik” e andej stërthotë: “Berisha, eja në tavolinë”. Hipur me të dy këmbët (në bashki dhe në PS) thotë: “Të rrëzojmë Qeverinë Berisha” e duke u stërsjellë (si kali në lëmë) thotë: “Të hapen kutitë”. Së treti, Rama kërkon negociata përjashtuese, teksa shton se “nuk ka karrige për Metën”, se negociatat i do për karrige për veten. Së pesti, nuk e dimë se çfarë vullneti apo “fruti” mund të ketë ky njeri në tavolinë me Berishën, që për t’u ulur në një tryezë i bien rrotull e rrotull nga Brukseli e anës e anës nga Presidenca.
Ky Edi Rama e shikon çdo shtrëngim duarsh si “shtrungë” për të vjelë për veten e tij, siç bëri me Nanon për t’u bërë kryetar i PS-së, (tani komandant i saj), siç bëri me Metën për t’u bërë kryetar bashkie (tani pushtues i saj), siç do të bëjnë me Berishën për t’u bërë “krye-kryeministër” (e, njëherazi edhe krye-kryetar partie, krye-kryetar bashkie). Nuk është e rastit që rrinë edhe tre ditë e tre net në çadra para Kryeministrisë me “Protestën e sanduiçëve”, sepse e deshi Metën ta “hante” si sanduiç me kode, akorde e kodoshllëqe, po iu bë parti e dytë në pushtet e zv.kryeministër e ministër i Jashtëm në qeverinë “Berisha”. Pandehu se e “hëngri” Nanon si kryetar partie dhe i doli si kandidat për President, prapë pandeh ta ketë apo hajë si sanduiç, po i del kandidaturë për kryetar bashkie. (Më mirë e bën Nano prej Vjenës se Rama prej Pezës!). Tani me Berishën ka mbetur me sanduiç në gojë të vet dhe rrinë natën zgjuar në çadër përballë Kryeministrisë tuj thirr zanin “Të hapen kutitë” e tuj ba “Amin” të bëhem “Krye-kryeministër i Shqipërisë”(!).
3.
Vërtet boj-koti i Edi Ramës është jo vetëm një vendim pa mendim, po është edhe i rrezikshëm, sepse i tillë – i rrezikshëm - është edhe vetë Edi Rama.
Së pari, se bojkotin e ka zhveshur nga gjithçka politike – aq sa edhe në ballinën e konferencave të shtypit në selinë e partisë i ka hequr edhe simbolet rozë të partisë socialiste e tullosur si parafabrikate thënien (thembrën) “Të hapen kutitë”,(!), pasi në partinë e tij gjithçka e do metafizike dhe karrigen e tij do ta shohin si diçka “magjike” (që të bën me pallat, me tokë... po të lënë pa kokën tënde!).
Së dyti, edhe vetë është tepër i dyshimtë për moral politik për zgjedhjet, pasi në të gjitha herët që është ulur në karrigen e kryebashkiakut të Tiranës i ka mbyllur kutitë me vota të vjedhura (tetor 2000, dhjetor 2003, shkurt 2007).
Së treti, vërtet boj-koti i Edi Ramës është bojkoti i bojkoteve, sepse e tillë është edhe partia e tij, (parti e bojkoteve), e cila e bojkotoi Nënë Terezën, Shqiptaren më të madhe të të gjitha kohërave, nobelisten shqiptare që sivjet ka 100-vjetorin e lindjes, që bojkotuan Amerikën e Britaninë e Madhe, Izraelin e Gjermaninë, Rusinë e Kinën (!) e në fillim e në fund bojkotuan edhe vetveten si “ishull i komunizmit të epokës së gurit”. Edhe sot, këta, bijtë e tyre, bojkotojnë Parlamentin e vetë janë “tufëzuar” pranë Ramës, janë bërë “arëza-arëza” në politikë.
Së katërti, vërtet boj-koti i Edi Ramës është i rrezikshëm, sepse ai bën bojkot edhe me tragjeditë shqiptare si me përmbytjet në Shkodër, që e donte “hisen” (arzën) e vet politike (si pushtet paralel) që nga mbledhja e fondeve humanitare etj. Ai bën bojkot edhe me madhështitë shqiptare si me Korridorin e Kombit – Autostradën Durrës-Prishtinë.
Së pesti, vërtet bojkoti i Edi Ramës është i rrezikshëm, sepse i tillë është Edi Rama për partinë e tij, sepse në vitin 2000 u mbështet nga PS e doli kryetar bashkie (me 57 për qind të votave) e për të ridalë prapë u pranua në tetor 2003 anëtar i kësaj partie dhe në dhjetor 2003 rizgjidhet edhe një mandat si kryebashkiak. Vetëm dy vjet iu deshën Ramës që nga anëtar partie të bëhej kryetar i kësaj partie, e të bëhej kryetar partie për herë të dytë (shtator 2009) e kryetar bashkie për herë të tretë (shkurt 2007). Edi Ramës grupi parlamentar i duket si një lodër “rraka-taka”, që kur e tund për “kutitë” (etj.) ia bëjnë “rrak” nga brenda (ata – të mendimit të ndrydhun) dhe “tak” nga jashtë (ata – të mendimit ndryshe)(!). Ngjarjet e viteve 2007-2010 në PS tregojnë se Rama është i rrezikshëm për këtë parti rozë që e veshi me nomenklaturën e kuqe, që ia hoqi çdo identitet dhe e bëni parti-bashki etj. Po ka edhe një tjetër rrezikshmëri, pasi siç hyri dhe u ngjit në bashki e në parti synon të shkojnë në Presidencë apo Kryeministri (!).
Së gjashti, që mund të ishte edhe e para, Edi Rama është i rrezikshëm për Shqipërinë, pasi sa ka thënë “Të happen kutitë” nuk ka thënë as të pranohet Shqipëria në NATO dhe as në BE, kaq nuk ka folur as për Kosovën, kaq nuk ka folur as për Lëvizjen e Lirë të Shqiptarëve etj.
Së shtati, që nuk mund të jetë e fundit: Po iu vjen ora mandatore disa ndryshimeve në Gjykatën e Lartë, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë etj., (2010) po edhe e zgjedhjes së kryetarit të Bashkisë së Tiranës (2011) e ndaj Edi Rama kërkon “tryezë” po këtë do ta trajtojnë si “tezgë”(!), që me “protesta-proteza” në rrugë ta marrin (pu)shtetin në tavolinë (!).