E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dënimi, 34 vite burg trafikantëve të Haratçiut

24/03/2005  E trafikuara kërkon ndëshkim vetëm për njërin nga të pandehurit

TIRANË – Gjykata e Krimeve të Rënda ka rritur masën e dënimit për dy të pandehurit, Hamza Karoshi dhe Bujar Sfinjari, akuzuar për veprën penale të trafikimit të femrave për prostitucion. Megjithëse vajza e trafikuar bëri kallëzim për dy të pandehurit, para gjykatës ajo ishte e mendimit që dënimi të jepej vetëm për Karoshin e jo për Sfinjarin, që e cilësonte si njeri të mirë dhe që e ka ndihmuar në ditë të vështirë. Ndërsa, Prokuroria kërkoi dënimin e të pandehurit me nga 15 vite heqje lirie, gjykata i dënoi ata me nga 17 vite burg. Gjykata në vendimin e saj nuk mori parasysh pretendimet e vajzës, e cila është shprehur se ai që e ka trafikuar që nga fshati i saj në Dibër është i pandehuri Hamza Karoshi. Por vepra penale, sipas gjykatës, është kryer në bashkëpunim. Edhe Bujar Sfinjari ka patur dijeni për rrugën që do të ndiqte Karoshi për shitjen e vajzës. Kështu që përgjegjësia është e njëjtë. I pari që e mori Miranda Haratçiun nga Dibra, duke e gënjyer për martesë, është i pandehuri Hamza Karoshi. Gjykata tha dje në vendim se Karoshi ka qëndruar 6 muaj në shtëpinë e vajzës, duke i shitur edhe viçin. Ai ishte i martuar dhe me fëmijë, e në shtëpinë e vajzës së dëmtuar qëndronte deri sa të gjente tregun e shitjes. Në vendim thuhej se Karoshi u largua me vajzën nga Dibra për të ardhur në Tiranë. Para largimit, i pandehuri bindi familjen e të dëmtuarës se i duheshin para, duke i shitur edhe viçin. Vepra e kryer nga të pandehurit është e vërtetuar nga deklarimet e prindërve të vajzës. Po kështu kundër Karoshit ka dhënë deklarime edhe vetë vajza, duke u munduar të mbrojë në një farë mënyre të pandehurin tjetër, Bujar Sfinjari.

Akuza

Gjykata shprehet se e dëmtuara ka dhënë shpjegime të plota me mbërritjen në kufi. Ai që e ka ndihmuar për të kaluar kufirin drejt Italisë është i pandehuri Bujar Sfinjari. Sipas deklarimeve të vetë të pandehurit, për të ikur me skaf, Sfinjari ka paguar 1 milion e 600 mijë lireta. Mbërrijnë në Itali dhe të dy së bashku qëndrojnë në të njëjtën banesë. Gjashtë muaj është shfrytëzuar e dëmtuara Miranda Haratçiu nga Sfinjari, në Itali. Të gjitha fitimet shkonin në duart e tij, ndërkohë që para gjykatës, i pandehuri ankohej se vajza nuk i kishte kthyer ende paratë e skafit. Miranda, përveçse ka dhënë dëshminë e saj para një trupi gjykues, për të siguruar provën u paraqit në seancën e radhës, ku dëshmia u mor drejtpërdrejtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›