E Hënë, 2 Nëntor 2026

Xhafa, jo presioneve, do largohen gjyqtarët e korruptuar

24/03/2005  Ministri i Drejtësisë: Inspektimet kanë nxjerrë shkelje të rënda

Nuk ka qenë vetëm i ashpër, por dhe i prerë ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafa, në analizën e Gjykatës së Tiranës të bërë dje. "Kryetarë gjykatash, kancelarë apo gjyqtarë të tillë, që cënojnë rëndë imazhin e gjyqësorit, besimin e qytetarëve te drejtësia, nuk duhet të tolerohen nga askush apo për më tepër të justifikohen e mbrohen për qëllime, interesa të ditës apo përfitime personale. Personalisht kam qenë e mbetem i angazhuar dhe vendosur për të mos i hapur rrugë çdo lloj presioni, ngado që vjen, në mbështetje të abuzivizmit, paaftësisë e korrupsionit". Më tej, Xhafa ka vijuar se "jam i bindur në vlerësimin se korrupsioni është një praktikë e një pakice në radhët e gjyqësorit, por, megjithatë është një çështje që na cënon të gjithëve". Juridiksioni i Gjykatës së Tiranës shtrihet në 17 për qind të popullsisë së vendit. Në këtë gjykatë gjykohen 25.8 për qind e numrit të përgjithshëm të çështjeve në shkallë vendi. Ndërkohë që, kjo gjykatë ka numrin më të madh të gjyqtarëve dhe buxheti i saj për vitin 2004-ën zinte 10.7 për qind e buxhetit të sistemit gjyqësor. Numri një i Drejtësisë, tha dje në analizën vjetore të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, se pas kontrollit që është duke u ushtruar nga inspektorët e KLD-së, do të këtë reformë të thellë. Ministri ka deklaruar se kontrollet e KLD-së kanë gjetur shkelje nga më të ndryshmet në gjykatat e Tiranës dhe për këtë do ketë ndëshkime ligjore. Gjykata e Apelit ka qenë në shenjë të kritikave, e cila kishte 15 vjet pa u ushtruar kontroll nga Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Ankesat

Më tej, ai shtoi se për çdo ditë qytetarët bëjnë jo pak ankesa për shkaqe të pamotivuara të shtyrjes së seancave gjyqësore apo për sorollatje nëpër dyert e zyrave të gjyqtarëve, duke humbur besimin në qeverisjen e tyre. Sipas Xhafës, këto fenomene nuk dëshmojnë vetëm për aftësi të pakta menaxhuese të gjyqtarëve të caktuar, por edhe për pamjaftueshmëri profesionale të tyre, në rastin më të mirë dhe mungesë etike profesionale. Dua t'ju siguroj, tha Xhafa në fjalën e tij, se rezultatet e këtij kontrolli do të shërbejnë për të larguar nga kjo gjykatë gjyqtarë të veçantë, që, me veprimtarinë e tyre në kundërshtim me ligjin dhe etikën profesionale, shkaktojnë atë perceptim negativ që qytetarët kanë për sistemin gjyqësor. Numri një i Ministrisë së Drejtësisë, ka pohuar se nuk ka tërheqje për marrjen e vendimeve të largimeve nga detyra të gjyqtarëve që kanë shkelur ligjin, apo kanë bërë punë joprofesionale. Për numrin një të Drejtësisë, pika kyçe e çdo gjyqtari është etika profesionale,e cila në këtë rast është në nivel të ulët.

Statistika

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka 46 gjyqtarë dhe dy magjistratë. Secili prej gjyqtarëve gjatë vitit 2004 ka zhvilluar një numër të konsiderueshëm procesesh gjyqësore, penale dhe civile. Për vitin që sapo kaloi, gjithsej në këtë gjykatë janë gjykuar 169.948 çështje, nga të cilat 11.586 civile dhe 3488 penale, 428 penale ushtarake dhe janë dhënë 1446 masa sigurimi. Nga çështjet e gjykuara për vitin 2004 janë përfunduar 7076 civile, 1997 civile me palë kundërshtare. Janë regjistruar 1816 çështje penale të themelit dhe janë përfunduar 1347. Cilësia e çështjeve të gjykuara nga Shkalla e Parë është matur nga Apeli dhe Gjykata e Lartë. Shumë vendime të dhëna nga Shkalla e Parë janë prishur apo kthyer nga Apeli dhe Gjykata e Lartë. Sipas kryetarit Sokol Çomo, shkaqet e prishjes së këtyre vendimeve kanë të bëjnë me mosshqyrtimin e drejtë të provave dhe mosrespektimin e ligjit në disa raste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›