E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në gjyq gjobëvënësi i Francezit, 100 mijë euro

24/03/2005  Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur për shqyrtim në gjykatë dosjen penale në ngarkim të të pandehurit Genci Sanxhaku, 38 vjeç, lindur dhe banues në Fier. Prokuroria e akuzon Sanxhakun për shfrytëzim të femrave për prostitucion, heqje të lirisë së dy personave dhe gjobëvënie me 100 mijë euro ndaj francezit Alan Monuz. Sanxhaku rezulton të jetë dënuar edhe më parë për trafik femrash, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion. Ai akuzohet se ka trafikuar dhe shfrytëzuar si prostitutë Izabela Ndonin nga Lushnja. Kjo e fundit ka lindur në fshatin Rrenas në Lushnjë. Në vitin 1998 martohet me Sokol Ndonin nga fshati Shukull. Jeton me të deri në vitin 2003 dhe në gusht të këtij viti largohet nga shtëpia dhe shkon te motra pa e marrë me vete vajzën, Kostandinën 3-vjeçare. Pas një zënke me vëllain, Izabela largohet në pyllin e Manastirit. Merr në telefon motrën Neta Ferra, e cila punonte si prostitutë. Kjo e fundit i thotë Genci Sanxhakut që të marrë Izabelën, i cili e çon në një shtëpi në qendër të Fierit dhe i nxjerr një vizë gjermane. Genci Sanxhaku kishte lidhje me Aleks Torrën, emigrant në Greqi, i cili fejohet me Angjelinën dhe ikën në Bensacon të Francës. Atje, Aleksi futet në një grup shqiptarësh së bashku me Beqir Pomodanin, Ferdinand Beqirin dhe Astrit Tafën. Aleksi detyron Angjelinën të punojë si prostitutë. Në janar ai njihet me francezen Lucie Thumsert dhe dashurohet me të. Në këtë periudhë, Genci Sanxhaku i kërkon Aleksit të kthehet në Shqipëri të marrë Izabelën. Ata janë takuar më 13 nëntor të vitit 2003 dhe më 19 nëntor udhëtojnë drejt Francës. Genci i kërkon Aleksit që të qëndrojë me Izabelën dhe ata strehohen në hotelin “De Bari”. Izabela fillon të prostituojë dhe Genci merr prej saj 1800 euro në datat 8 dhe 9 dhjetor të vitit 2003. Genci tërheq shuma të tjera nga Izabela në Greqi, Itali dhe Spanjë. Ndërkohë, Izabela dashurohet me francezin Alen Monuz, i cili i kërkon të martohet me të. Por Angjelina grindet me Izabelën për 1000 euro dhe Aleksi e qëllon me pirun në kërthizë lushnjaren. Monuz i thotë Izabelës se do t’i japë 10 mijë euro Izabelës, që tutorët ta lënë të qetë. Nisur nga kjo, Izabela e takon Gencin në Bolonjë dhe i bën ofertën. Por, ai e kthen në Fier, ku marrin vajzën e saj dhe më datë 28 shkurt të vitit 2004 vijnë në Tiranë. Sipas Prokurorisë, Izabela është detyruar nga Genci që t’i kërkojë francezit 100 mijë euro. Genci hap llogari me emrin e Izabelës për derdhjen e parave. Gjatë kësaj kohe, Genci vinte në përdorim emrin e rremë Dritan Kutra, me anë të pasaportës së falsifikuar me nr.1348404, të lëshuar në Gjirokastër. Për të siguruar paratë e gjobës, Alen ka shitur një pjesë të diskos që kishte pronë dhe njëkohësisht ka lajmëruar policinë franceze. Më datë 26.03.04, Alen niset për në Shqipëri, ku e prisnin Fatjon Delia dhe Klodian Memoali, të cilëve ua kishte lënë si detyrë Genci Sanxhaku. Ky i fundit i ka telefonuar dhe u ka thënë të shkonin në Rinas të prisnin francezin. Sipas Prokurorisë, Genci Sanxhaku ka poseiduar edhe një pasaportë bullgare të falsifikuar me nr.322121731. Gjithashtu për të vërtetuar akuzat, Prokuroria disponon si prova deklarimet e të afërmve dhe faturat e parave që ka dërguar Izabela.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›