E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sarandë, “Tre Vëllezërit” u qëllua me snajperO-s

24/03/2005  Predhat i përksinin kalibrit 12 mm dhe kishin dalë nga armë që përdoren prej forcave të NAT

Predhat e plumbave që goditën mbi peshkarexhën “Tre Vëllezërit” më 10 shkurt të këtij viti në Sarandë, kanë dalë nga një armë snajper. Ky është rezultati i laboratorit kriminalistik pranë Ministrisë së Rendit Publik. Rezultati i ekspertizës përforcon veprën penale të procedimit të çështjes, e cila është “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”. Kjo, pasi edhe nga këqyrja dhe ekspertiza e vendit të ngjarjes, rezultoi se plumbat kishin qëlluar drejtpërdrejtë e në kuvertë, ku ndodheshin marinarët shqiptarë. Disa herë, policia e Sarandës ka kontaktuar me homologen greke, e cila nuk ka pranuar se peshkarexha shqiptare është qëlluar nga marina e tyre. Madje, ata nxjerrin versionin se ka qenë një përplasje, ndoshta mes dy anijeve pirate.

Ekspertiza

Predhat që policia e Sarandës sekuestroi në kuvertën e peshkarexhës u çuan disa javë më parë në Laboratorin e Kriminalistikës, pranë Ministrisë së Rendit. Fillimisht u dyshua se ato i përkisnin një mitralozi 12.7. Por nga ekspertimi rezultoi se predhat e plumbave i përkisnin armëve snajper të kalibrit 12 mm. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se këto armë përdoren edhe nga forcat e NATO-s, ku është e anëtarësuar edhe Greqia. Burimet sqarojnë se pas këtij konkluzioni, policia e Sarandës në bashkëpunim me Prokurorinë e këtij rrethi, ka kontaktuar disa herë me homologët grekë. Por policia greke ka mohuar se ka qenë një skaf i rojeve detare helene që ka qëlluar mbi peshkarexhën shqiptare. Burimet thonë se pala greke ka këmbëngulur në versionin se mund të ketë qenë një përplasje mes dy anijeve. Ata nuk e pranojnë zyrtarisht të kenë qenë rojet detare greke që qëlluan mbi peshkarexhën “Tre Vëllezërit”, e cila, sipas dëshmive të pjesëtarëve të ekuipazhit kishte qenë të paktën 600 metra në brendësi të ujërave të territorit shqiptar. Rezultati i ekspertizës, e cila konkludoi se agresorët e peshkatarëve kishin përdorur snajper kundër tyre, forcon faktin se është qëlluar drejtpërdrejtë për të vrarë, theksojnë burimet. Këtë fakt e konfirmon edhe rezultati i këqyrjes dhe ekspertimit të vendit të ngjarjes, nga ku u konkludua se plumbat kishin qëlluar drejtpërdrejtë në kuvetrë dhe kishte shumë mundësi që të dëmtohej ndonjë prej pjesëtarëve të ekuipazhit.

Hetimi

Hetimi i Prokurorisë së Sarandës lidhur me këtë incident, thuajse ka përfunduar. Pritet përgjigjja e letër-porosisë që u është dërguar autoriteteve të drejtësisë greke për identifikimin e personave që qëlluan mbi peshkarexhë. Por, ndonëse ka kaluar më shumë se një muaj nga dërgimi i shkresës zyrtare, drejtësia helene nuk ka kthyer asnjë përgjigje. I vetmi version mbetet ai i policisë greke, e cila pretendon se nuk kanë qenë forcat e marinës detare helene që kanë qëlluar mbi peshkarexhën. Burimet e organit të akuzës, sqarojnë se nga dëshmitë e okularëve është mësuar se anija ka qenë rreth 600 metra në brendësi të ujërave të territorit shqiptar. Ata kanë pohuar se një skaf i marinës greke i ka ndjekur dhe u ka kërkuar që t’i ndjekin. Por, kur shqiptarët nuk u janë bindur, atëherë ata i kanë sulmuar, duke hapur zjarr. Vetëm fati i ka shpëtuar pjesëtarët e ekuipaxhit. Sipas Prokurorisë, rezultati i ekspertimit të vendngjarjes dhe predhave të plumbave, konfirmon se ndaj peshkarexhës është qëlluar me dashje dhe drejt e në kuvertë, ku ndodhej ekuipazhi. Gjithashtu, arma e përdorur, e cila ka precizion maksimal në shënjestër, përforcon akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë, përfundojnë burimet.

Anija u qëllua për t’u mbytur

Anija shqiptare e peshkimit "Tre Vëllezërit" u qëllua me armë zjarri në brendësi të ujërave tona më 10 shkurt të këtij viti, në afërsi të liqenit të Butrintit. Peshkatarët denoncuan në polici se një mjet lundrimi i rojeve bregdetare greke hyri në ujërat shqiptare dhe kërkoi që peshkarexha t'i bindej një urdhri për t'u afruar drejt saj. Lajmi u bë i ditur zyrtarisht nga policia e Sarandës, nëpërmjet një komunikate për shtyp. Policia tha se dy plumba ndodheshin në peshkarexhë, duke vënë në rrezik jetën e ekuipazhit. Tre peshkatarët sarandiotë të peshkarexhës “Tre vëllezërit”, thanë në polici dhe në media se grekët kishin qëlluar ndaj tyre për t’i vrarë. Ata pretendonin se ndaj tyre ishte qëlluar me breshëri arme në ujërat tona territoriale, nga kufitarët grekë. Edhe vëllezërit Kreshnik e Dritan Çela, pronarë të peshkarexhës dhe peshkatari Kostaq Kacorri, kanë pohuar në polici se ishin duke peshkuar në afërsi të Vivarit në Butrint, zonë ku ata gjuajnë zakonisht. Ata pretendonin se për rreth 20 minuta ishin ndodhur nën breshërinë e zjarrit, gjë që ka zgjatur deri sa u afruan rreth 500 metra nga bregu ynë. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, rezultoi se peshkarexha kishte marrë rreth 50 plumba, që e kishin dëmtuar në pjesën fundore. Peshkatarët thanë atëherë se plumbat e kishin dëmtuar anijen poshtë vijës së ujit, me qëllim që të mbytej, te direku, në frigorifer, si dhe te radari.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›