E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shefi i antimafias në Greqi për fajdet

24/03/2005  Shtylla udhëton drejt Athinës. Në axhendë dhe pyetja e Lefter Cenajt

Fajdet dërgojnë shefin e luftës kundër krimit të organizuar në Greqi. Një ekip i Prokurorisë së Përgjithshme nën kryesimin e drejtorit Zamir Shtylla, ka mbërritur në Athinë, për të hetuar së bashku me kolegët fqinjë, akuzat, dyshimet për transfertat marramendëse të parave të piramidave. Në axhendën e Shtyllës, sipas burimeve të besueshme është dhe marrja në pyetje e Lefter Cenajt, ish-president i Ce&Co, që, aktualisht vuan dënimin e dhënë nga gjykata e Janinës. Shtypi grek, e më pas ai shqiptar, kanë përfolur ministrin Arben Malja dhe deputetin Kristo Goxhi, të implikuar në transferimin në Greqi të mbi 50 miliardë dhrahmive në vitet ‘97-‘99.

Goxhi

Gjithçka ishte brenda ligjit. Kështu ka deklaruar deputeti i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Kristo Goxhi, pas përmendjes së emrit të tij. Ai ka pranuar përfshirjen në lëvizjen e parave të një prej firmës më të mëdha piramidale në Shqipëri. Por, Goxhi tha se lëvizjet e parave janë bërë konform ligjeve. "Të gjithë kemi lënë kush më shumë e kush më pak para në firmat piramidale. Unë e pohoj se kam bërë një transfertë të parave të firmës ‘Cenaj’. Transferta ishte juridike dhe paratë ishin të firmës ‘Cenaj’. Me këtë është njohur dhe drejtësia shqiptare. Lefter Cenajn e kisha mik dhe isha kreditor i tij. Unë s'kam pasur lidhje me ndonjë ministër shqiptar. Nuk e njoh as agjentin grek Vavilis dhe për këtë mund të pyesni edhe Cenajn, edhe Vavilis, apo Alimuçën. Unë jam deputet i parlamentit shqiptar dhe përfaqësoj interesat e popullit që më ka votuar", ka sqaruar rrethanat e tij deputeti.

Malaj

Ndryshe ka qenë reagimi i ministrit Arben Malaj. "Po sulmohen reformat antipiramidale". Deklarata e Malajt është përcjellë nga zëdhënësi i ministrit të Financave, Alban Beqja. Ai ka pohuar se, "sulmet e ditëve të fundit, të cilat në mënyrë direkte, ose indirekte i janë drejtuar ministrit të Financave, Arben Malaj, janë pjesë e një fushate dhe presioni, e nisur që në vitin 1997. Është evident fakti që, shpërbërja e skemave piramidale ka prekur shumë interesa, përfshirë dhe ato kriminale. Një pjesë e burimeve të këtyre skemave janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren për qëllime kriminale. Në vazhdimësi, këto para janë vënë në shërbim të fushatave denigruese kundër personave dhe institucioneve, që janë angazhuar dhe kanë marrë përgjegjësinë për të mbyllur skemat piramidale", tha Beqja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›