E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënimi me vdekje, Shqipëria me kod të dyfishtë

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Shqipëria me kod të dyfishtë: Vepron dënimi me vdekje “de fakto” sipas Kanunit, vepron edhe ligji që kursen jetën. Beteja me Kanunin nuk ka përfunduar…Eshte e brishtë Drejtësia për zbatimin e ligjit apo popullsia nuk është dakord me heqjen e dënimit me vdekje?! Ndoshta të dyja…
Shqipëria Socialiste ndali gjakmarrjen, veprimin e Kanunit, por jo ndëshkimin me vdekje. Aplikoi ndëshkimin me vdekje për ata që vinin në zbatim Kanunin si dhe për armiqtë dhe sabotatorët e shtetit. Gjithsesi, Kodi i rreptë Penal i vitit 52 i vuri fre Kanunit dhe megjithëse në shumë nene të tij shpallej dënimi me vdekje, ai ndali veprimin tragjik të Kanunit, që merrte 300 jetë çdo vit (referuar statistikave të kriminologut J. Papandile).

Shoqëria shqiptare ka kaluar nëpër një traditë të së drejtës penale, ku drejtësinë e vendoste në vend individi, jo shoqëria. Kanuni i Skënderbeut dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, me njohje dhe pranim mbarëpopullor në Veri të Shqipërisë, por edhe në një pjesë të Shqipërisë së Mesme, nuk bëjnë fjalë në asnjë pikë të tyre, për ekzistencë të burgjeve (që si heqje lirie është forma kryesore e ndëshkimit në shumicën e vendeve të botës. ) Megjithatë, rrethanat e gjakmarrjes imponojnë ngujimin brenda katër mureve të shtëpisë, e cila merrte për vite të tëra atributin e burgut, madje të burgut të përjetshëm, e jo vetëm për një individ, por për gjithë meshkujt e familjes. Dënimi me vdekje, (në emër të gjakmarrjes apo ruajtjes së nderit) si tipari themelor i kanuneve, nuk u zhduk menjëherë, me zëvendësimin e kanunit me ligjet e shtetit. Por, diçka tjetër ndodhi në kontrast me të…
Dënimi me vdekje do të aplikohej pikërisht për ata, që zbatonin Kanunin duke bërë vetëgjyqësi. Po të shikosh Kodin Penal të vitit 52, gjakmarrja dënohet deri në pushkatim.
Karakteri moral i dënimit me vdekje u zëvendësua me karakterin politik, klasor dhe sabotator të tij. U aplikua edhe për krimet ordinere, por edhe këtë herë me ngjyresa politike sidomos për “krimet kundër shtetit”, “kundër pasurisë shtetërore”, “kundër sistemit socialist të ekonomisë”, të parashikuara me seksione të veçanta. Gjithashtu, dënimi maksimal nuk u kursye edhe për një numër vrasjesh me dashje në rrethana rënduese, si: Vrasjet me torturë duke i shkaktur mundime viktimës, vrasja për hakmarrje apo gjakmarrje, vrasja e një gruaje duke e ditur që është shtatzanë, vrasja për zili etj.
Në qindra nene të kodit penal të vitit 1952 është i përfshirë dënimi me vdekje si masë ekstreme dhe me gjithë përmirësimet që do t i bëheshin këtij kodi vit pas viti, ai do të vazhdonte të vepronte përmbi gjysmë shekulli. “Shqipëria e hoqi dënimin me vdekje pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese më 10 dhjetor 1999. (Raporti i Këshillit të Europës 2001). Por më parë, ajo miratoi një akt për pezullimin e ekzekutimeve më 29 qershor 1995, para hyrjes në Këshillin e Europës. Ngjarjet e dhunshme të vitit 1997 dhe një rritje e rëndësishme e shkallës së krimit, bënë që publiku i përfaqësuar nga grupe politikanësh, të sugjeronin heqjen e pezullimit në këtë kohë. Sidoqoftë, ekzekutimi i fundit me vdekje u dha më 15 mars 1995”.
Aktualisht, nuk ka asnjë lloj vepre penale, e cila të ndëshkohet me jetë. Madje, edhe për shfarosjet, torturat, krimet e luftës, shkatërrimi i qyteteve dhe fshatrave të tërë (të parashikuara në nenet 74 dhe 75 të kodit të vitit 1995 e të ndryshuara me ligjin nr. 8733, të vitit 2001), parashikon si dënim maksimal, burgimin e përjetshëm.

detaj
Detyrimi ushtarak nuk është më tashmë një detyrim ligjor, por jo shumë larg, në legjislacionin e vitit 52 parashikoheshin dënime të rënda për shmangien nga ky shërbim, që shkonin deri në pushkatim, si në rastin e shkeljes së shërbimit të rojes (neni 318), që kushtonte jetën në rrethana rëndonjëse. Por jo pak dënohej edhe largimi pa leje nga reparti (në kohë paqeje), deri në 10 vjet heqje lirie (neni 308).
Ky lajm është publikuar: 04/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›