E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e Bolonjës, për t u bërë mësues duhet Master

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Studentët e Kartës së Bolonjës nuk mund të bëhen mësues vetëm me tre vjet shkollë. Krahas diplomës 3-vjeçare ata duhet të kryejnë patjetër edhe Masterin e nivelit të parë 1-vjeçar. Të paktën ky është propozimi që u diskutua dje gjatë një takimi midis MASH dhe drejtuesve të universiteteve publike të kryeqytetit dhe rretheve, rektorë dhe dekanë të fakulteteve të mësuesisë. Propozimi më i fundit i MASH përcakton vitet e shkollës që duhet të kryejë një student për t u bërë mësues i ciklit të ulët, apo edukator. Në bazë të këtij vendimi, për sa i përket kohëzgjatjes së studimeve, u ra dakord me krerët e instutucioneve publike të Arsimit të Lartë që për t u bërë mësues i Arsimit të Mesëm të Ulët apo i Arsimit të Mesëm të Lartë, një studenti, përveç diplomës 3-vjeçare e nivelit të parë, do t i duhet të kryejë edhe një Master të nivelit të parë njëvjeçar (3+1). Sipas diskutantëve, Masteri duhet të jetë i specifikuar për Arsimin e Mesëm të Ulët dhe Arsimin e Mesëm të Lartë. Për përgatitjen e mësuesve të Arsimit të Mesëm të Lartë u la si opsion në të ardhmen që kohëzgjatja mund të bëhet, gjithmonë sipas propozimeve të universiteteve, edhe 3+2, në momentin kur edhe statusi i profesionit të mësuesit të justifikojë koston e studimeve. Ndërsa kohëzgjatja e studimeve për një edukator të arsimit parashkollor, kopshtit, dhe mësues të ciklit të ulët do të jetë 3 vjet dhe do të mjaftojë diploma e nivelit të parë.
Kurrikula të njëjta
Një tjetër çështje që u diskutua në këtë takim dhe u konvergjua, ishte që kurrikulat e programeve të studimit për mësuesinë të unifikohen, të jenë të njëjta për të gjitha universitetet (pra, kurrikula e programit të studimit të Masterit të Nivelit të Parë për mësuesi të Gjuhë-Letërsisë në Elbasan të jetë e njëjtë me atë të Universitetit të Tiranës, etj).
Edukimi
Përfaqësues të MASH diskutuan gjithashtu mbi strukturën organizative në IAL përkatëse, me synim administrimin e programeve të studimit dhe përgatitjen e mësuesve nëpër fakultetet e edukimit.
Tarifa
Ndërsa për sa i përket tarifës së shkollimit për Masterin e Mësuesisë, ende nuk ka propozime konkrete të universiteteve. Por në bazë të nenit 75, të ligjit për Arsimin e Lartë, tarifat e shkollimit për të gjitha ciklet e studimeve, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave (me propozim të MASH, e cila konsultohet paraprakisht me universitetet) dhe ato asnjëherë nuk e kalojnë koston e studimit.

“Studentët nuk janë dakord me tarifat paraprake prej 300 lekësh të reja për ciklin e dytë të studimeve sipas Bolonjës, ndërsa MASH thotë se ende nuk ka propozime konkrete për tarifat e shkollimit për Masterin e Mësuesisë”

Ky lajm është publikuar: 04/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›