E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvrasjet: Krimet, pa fajtorë në pranga

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Vetëvrasjet janë bërë “supriza” të dendura në ditët tona: Me varje në kasollen e bagëtive, me fostoksinë, me vetëdjegie, me plumb, me hedhje nga katet e larta...Pasi konstatohet nga ekspertët kriminalistë, se vdekja ka ndodhur nga një akt vetëvrasjeje, gjithçka mbyllet pa hetime të mëtejshme. Faji i vihet zakonisht depresionit që viktimat kalonin; pra për një pasojë fajësohet një pasojë tjetër, që të dyja, pasoja të një shkaktari. Për fat të keq, vërejmë se mungon përgjegjësia ligjore, edhe pse në një mënyrë apo një tjetër janë një numër rrethanash dhe individësh, që me veprimin ose mosveprimin e tyre, bëhen shkaktarë të këtij fundi tragjik. Varfëria, mungesa e ndihmës ekonomike për të përballuar një standard mbijetese, mungesa e strehës, humbja ose refuzimi i shanseve të punësimit, teori hipnotike të shoqatave fetare që predikojnë një jetë tjetër, dhuna sistematike në familje, keqtrajtimi nga policia, shkelja e të drejtave themelore njerëzore, procese gjyqësore të padrejta, falimente, humbja e së drejtës së studimit apo vlerësime të padrejta, dështimi i përpjekjeve për të emigruar etj, janë ndër shkaqet e njohura që provokojnë depresione dhe vetëvrasje. Përpara këtij lumi hallesh, OJF-të dhe shoqëria kanë dështuar në misionin e tyre, mbi të gjitha ka dështuar një ministri që mban emrin e barazisë dhe shanseve të barabarta, (që të krijon imazhin e një ministrie drejtësie!) shanse që shumë njerëzve nuk u jepen kurrë.
Asnjë proces gjyqësor nuk është dëgjuar deri sot, për të ndëshkuar fajtorët e një akti vetëvrasjeje. Madje, sipas një pyetësori që gazeta “Ballkan” u drejtoi disa qytetarëve se, “a duhet dënuar shkaktari i vetëvrasjes së dikujt? A keni dëgjuar që të dënohet? Mendoni se ligji e dënon shkaktarin e vetëvrasjes?”, rezultoi se qytetarët nuk e dinin, që ligji dënon ata persona, që nxitin indirekt me rrethanat që krijojnë, një person në vetëvrasje dhe se nuk kishin dëgjuar që ndonjë person të dënohej me një fajësi të tillë. Padrejtësitë e akumuluara në jetën e njerëzve lënë gjurmën e tyre dhe një shkëndijë mund të bëhet precedenti i një akti fatal. Por ligji edhe nëse do të dënonte, do të dënonte vetëm shkëndijën e fundit, hallkën e fundit të zinxhirit të padrejtësive sociale, të cilat nxisin disa individë të heqin dorë nga vazhdimi i jetës. Ligji edhe teorikisht, vazhdon të mbetet larg krijimit të hapësirave të duhura për të dënuar fajtorët e vërtetë (për aq sa secilit i takon të mbajë), ndërsa praktikisht ngjan një ligj pa veprim.
Ky lajm është publikuar: 04/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›