E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni i verës, rritet nevoja për dhurime vullnetare gjaku

Autori i Lajmit: red.
Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut u ka bërë dje apel qytetarëve për dhurimin vullnetar të gjakut, pasi nevoja për gjak të sigurt është e vazhdueshme dhe e ndjeshme, veçanërisht gjatë sezonit të verës. "Shtimi i kërkesave për gjak në sezonin e verës vjen kryesisht nga aksidentet, një fenomen në rritje në këtë periudhë, si dhe për pacientët me anemi kronike, e paraprirë nga ulja e dhurimeve vullnetare",- tha drejtuesja e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Irena Qendro, duke theksuar se ka shumë nevojë për gjak të sigurt në përballimin e nevojave gjithnjë e në rritje, ndërkohë që dhënia e 300 mililitrave gjak nuk shkakton asnjë problem shëndetësor në shëndetin e njeriut. "Gjendja aktuale e bankave të gjakut në spitale vazhdon të jetë në nivel normal, por edhe nëse gjendemi në vështirësi gjatë periudhës së verës, Ministria e Shëndetësisë do të importojë gjak”,- pohoi specialistja e gjakut në Ministrinë e Shëndetësisë, Vjollca Duro. Shqipëria mbetet një nga vendet me traditë të ulët për sa i përket dhurimit vullnetar të gjakut. Nisur nga kjo situatë, Ministria e Shëndetësisë ka si objektiv të realizojë kalimin nga sistemi i dhurimit të rregullt me pagesë, në dhurimin vullnetar të gjakut. Procesi i kalimit të dhurimit të gjakut me pagesë në atë vullnetar, do të jetë gradual dhe do të përfundojë brenda afatit të përcaktuar prej 5-10 vjetësh me objektivat përkatëse. Në këtë kuadër, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, synohet rritja e dhurimeve vullnetare në qytetet e mëdha, shtrirja e këtij aktiviteti në të gjithë vendin, që numri i dhuruesve të jetë sa dy për qind e popullatës dhe brenda 10 vitesh numri i dhurimeve të arrijë në tre për qind të popullsisë.
Ky lajm është publikuar: 04/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›