E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e 12-të, ngrihet niveli i ujit në Shkodër-qytet

PËRMBYTJET/ Varkat në qytet kanë zëvendësuar urbanët. Banorët kanë frikë se uji do të ngrihet edhe më tepër

SHKODËR - Edhe pse prurjet në kaskadën e Drinit kanë rënë dhe shkarkimet e ujërave nga portat e hidrocentraleve janë në sasi më të vogël, asgjë nuk ka ndryshuar për banorët e përmbytur në rrethin e Shkodrës.

Madje, brenda në qytet, në ato lagje ku uji është i pranishëm ka pësuar rritje, pasi lumi Buna ka vështirësi për t'u derdhur në det, ndërsa liqeni është fryrë dhe ka ndikuar dhe ai në zgjerimin e zonës së përmbytur. Ndërsa vëmendja e strukturave të shtetit është e shpërndarë në zonat e cilësuara më problematike, ku përmbytjet kanë sjellë pasoja të mëdha, disa pjesë të qytetit të Shkodrës duket sikur janë lënë jashtë vëmendjes, ndërsa banorët shprehen se askush nuk ka mbërritur deri tek ata.

Në lagjen "Xhabije" uji ka shkuar deri tek stacioni i autobusit urban dhe rruga drejt Tophanës. Në dalje të kësaj lagjeje, tek stacioni i furgonave për Tiranë e Velipojë, e deri tek ura e Bunës, uji shkon nga 20-30cm.

Në krahun tjetër të rrugës, në atë të majtin, pas vendqendrimit të furgonëve, janë banesat që njihen si lagjia pas ish-Zukth kashtës, si dhe një pjesë e lagjes "Tophanë".
Në rrugën "Karvanej" jetojnë familje të tjera autoktone të vendosura aty prej mbi një shekull. Ndonëse aty janë rreth 30 shtëpi, nuk mund të hysh pasi uji në çdo anë të rrugicës i kalon 30 centimetrat.

Banorët: Kryeministri ta dëgjojë peshkatarin

Remzi Myrtja, ka punuar 50 vjet si peshkatar dhe shprehet se kjo që ka ndodhur këtë herë, nuk është parë. "Kjo pjesë e lagjes është e vjetër e megjithatë e ka mbuluar uji. Kam punuar 50 vjet peshkatar, po kështu babai e vëllai.

Them me bindje se ishalla nuk kemi rrezik të fryejë ndonjë erë veriu, se pastaj puna do të shkojë keq shumë dhe do ta shihni se ç'do të ndodhë me qytetin. E them këtë nga përvoja ime dhe ta dëgjojë Kryeministri e kushdo. Unë kam punuar dhe në hidrocentrale. Aktualisht jam i mbuluar nga uji në katin e parë.

Nuk kam banjë ku të shkoj se është me ujë, ndërsa jetoj me gruan në katin e dytë. Askush nuk ka ardhë me na sjellë diçka. Unë nuk kam nevojë, por ka familje shumë të varfra këtu, që askush nuk është kujtuar për to. Shteti duhet të bëjë diçka dhe ta dijë mirë se kjo punë do të shkojë keq, se ne do bëjmë diçka. Kam 1 metër ujë në shtëpi.

Që të dielën ka shtuar 20 cm, se unë e di se jam marrë me këtë zanat e po nuk u derdh, Buna shton. Kjo nuk ka ndodhë për fajin tonë, por për faj të shtetit që e ka pritë me shku uji deri tek hunda ku i merret fryma e atëherë e ka shkarku se nuk ka pasë rrugë tjetër", thotë i revoltuar Myrtja.

Arjan Alija, një tjetër banor në këtë lagje shton se i ka dërguar dy fëmijët të sëmurë në spital nga lagështia, ndërsa Seit Dibra ka qëndruar në shtëpinë e tij të vjetër e përdhese bashkë me gruan dhe djalin 11 vjeç të sëmurë. Gjithçka në banesën e tij të varfër është mbuluar nga uji. "Kam dërgu tre vajzat tek vjehrri, ndërsa unë me gruan e djalin jemi këtu.

Shih e shkruaj. Gjithçka nën ujë. Nuk shkoj ku më kanë thënë, se nuk e lë dot shtëpinë. Jam takuar dhe me ministrin Arben Imami dhe më thanë se do të bëjnë letrat për dëme.

Unë jetoj me 4000 lekë në muaj ndihmë ekonomike dhe pagesën për djalin invalid të sëmurë. Edhe ajo pak gjë që kisha, e përmbyti uji".
Një tjetër banore në këtë rrugë del me çizme për të parë nëse po i vjen vajza nga shkolla.

"Kam katër vajza, jetime dhe njëra këmbënguli të shkonte në shkollë e nuk e ndaloja dot, edhe pse nuk jam në gjendje me e mbajt në shpinë për mos me u lag derisa të vijë në shtëpi", thotë ajo.

Në thellësi të rrugës "Karvanej", dy fëmijë dalin nëpër ujë duke përdorur një kamerdare plazhi të madhe dhe një shkop si lopatë, ndërsa një tjetër banore kalon me këmbë nëpër ujë drejt banesës së saj e ngarkuar me bukë e ushqime që ka dalë për t'i blerë.

Banorët kanë gjetur, sipas mundësive, mënyrat për të lëvizur, ndërsa uji që ka mbuluar rrugicën e tyre ka hyrë dhe në katet e para dhe qëndron aty pa lëvizur. Në mesditë, në këtë rrugë kanë shkuar dy deputetë të PD-së që kanë shpërndarë një sasi ushqimesh dhe uji për banorët.

Në ish-Zuktha kalohet vetëm me varkë

Në fillimin e rrugës pas ish-Zukthave, lëvizja bëhet vetëm me varkë. Janë disa të tilla, personale e shtetërore që ndihmojnë banorët për të shkuar tek shtëpitë e tyre apo për të dalë në pjesën pa ujë të qytetit dhe për të blerë sendet e nevojshme. Banorët presin varkën të vijë, e cila është kthyer në një shërbim urban për to.

Janë rojet liqenore që e bëjnë këtë lëvizje gjatë gjithë ditës e natës, me turne, për t'iu ardhur në ndihmë banorëve. Me varkë me motor ata futen deri në thellësi të lagjes, ku uji ka kaluar mbi 1 metër dhe aty ku është e mundur, hyjnë dhe në oborret e shtëpive, duke i dërguar njerëzit sa më afër banesave. Duke lëvizur me varkë, në asnjë cep të rrugës nuk dallon tokë, as në rrugë dhe as në banesa.

Disa dyer janë të mbyllura se njerëzit janë larguar, të tjerat janë të hapura dhe aty dallon oborre plot me ujë dhe në veranda apo ballkone të shtëpive dykatëshe dallon njerëz që vetëm shohin dhe presin që uji të kalojë diku e ato të mund të lëvizin lirisht.

Petrit Kaloshi, një nga rojat, i cili e ka varkën personale tregon: Unë dhe shokët e mi jemi në shërbim prej 8 ditësh për ata që kanë nevojë. Ndihmojmë ata që kanë qëndruar këtu dhe nuk janë larguar pasi kanë frikë se u vjedhin shtëpitë. Çojmë e sjellim njerëz, bagëti, orendi e gjithçka. Deri tani nuk kemi pasur ndonjë situatë të rëndë.

Njerëzit i transportojmë deri tek toka dhe më pas i sjellim përsëri. Rojet liqenore punojnë 24 orë. Sapo më mori në telefon një banor që do të shkojë të blejë një thes miell.

Duhet ta marr tek banesa dhe pasi të ketë kryer punë, ta sjell përsëri aty. Sapo solla një emigrant nga Italia, kishte marrë dijeni për përmbytjen e banesës dhe kishte ardhur. E çova me varkë deri tek kuzhina, gjithçka i kishte shkuar nën ujë dhe u kthye se nuk kishte ç'të bënte".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›