E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Kam ardhur për të bashkuar Skraparin

Skrapar- Kryetari i PS-së, Edi Rama ka ftuar dje vullnetarët e Skraparit, që të bëhen
zëdhënës të nevojës për ndryshim. "Bëhuni zëdhënës të nevojës për ndryshim, që edhe Skrapari si gjithë Shqipëria, ka nevojë për 18 vjet, duke u bërë lajmëtarë të rrugës së ndryshimit, se në Shqipëri nuk mund të duroni edhe 4 vite të tjera në keqqeverisje. Ne dhe ju së bashku, do ta bëjmë të mundur ndryshimin më 28 qershor dhe do ta garantojmë për 4 vjet me radhë, përmes një qeverie që do të jetë e juaja, me ju dhe për ju",- tha ai. Kreu i opozitës ka theksuar se politika e re nuk e konsideron Skraparin apo Shkodrën si bastione të atyre që zgjidhen, por si bastione të atyre që zgjedhin. "Nuk e konsideron Skraparin dhe Shkodrën si bastione të atyre që përfaqësojnë njerëzit, por të njerëzve që meritojnë të përfaqësohen më mirë, më denjësisht dhe që meritojnë që me votën e tyre, të marrin mbrapsht ato për të cilat votojnë. Nuk kam ardhur këtu për ta ndarë, por për ta bashkuar Skraparin. Nuk kam ardhur këtu për t'ju thënë pse nuk duhet të shikoni majtas dhe djathtas, por kam ardhur për t'ju thënë pse duhet të shikojmë drejtë e përpara, për një politikë të re, e cila nuk është e politikanëve, por e qytetarëve",- tha Rama. Kryetari i opozitës shtoi se, me fitoren e PS-së, do ti hapet rrugë ëndrrës evropiane. "132 ditë nga sot, ne do t'i hapim rrugë ëndrrës europiane, të marrë peng nga politika e vjetër e pabarazisë, majtas e djathtas, që ka varfëruar të papushtetshmit dhe ka mbingopur të pushtetshmit, majtas e djathtas",- tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›