E Diel, 1 Nëntor 2026

Dënohen me burgim të përjetshëm dy vëllezër

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka vendosur dënimin me burgim të përjetshëm ndaj dy të pandehurve, Destan dhe Ylber Nika, për veprën penale të vrasjes me paramendim të Pjetër Gjeloshit dhe Prek Kolës. Këta dy shtetas u shpallën fajtor dje për ngjarjen e ndodhur me 7 gusht të vitit 1997. Dy vëllezërit nga Puka, Destan dhe Ylber Nika, më 7 gusht të vitit 1997 kanë vrarë Pjetër Gjeloshin dhe Prek Kolën në shenjë hakmarrjeje për gjyshin e vrarë në vitin 1950. Vrasjen, dy vëllezërit e kanë kryer në periferi të qytetit të Pukës, ku përveç dy të vrarëve, që ishin në shënjestër të autorëve, janë plagosur dhe dy kalimtarë të rastit.

Dy viktimat ishin nipërit e personit që në vitin 1950 kishte vrarë gjyshin e vëllezërve Nika. Destan Nika, i arrestuar në Durrës, më 3 maj të vitit 2006, ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit dje kur është dhënë dënimi, ndërsa vëllai i tij, edhe ai i dënuar me burgim të përjetshëm, është dënuar në mungesë, pasi ende kërkohet nga policia. Burime konfidenciale nga policia e Shkodrës bëjnë të ditur se i kërkuari Ylber Nika dyshohet se fshihet në një qytet të Greqisë dhe për këtë i është kërkuar ndihma e Interpolit për kapjen dhe ekstradimin e tij. Destan Nika do të vuajë dënimin në burgun e Shën Kollit, në Lezhë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›