Prokuroria: Vetë të pandehurit shtynë hetimet e "Durrës-Kukës"
Ethet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, kanë prekur edhe institucionin e akuzës qendrore, aq të lakmuar nga mazhoranca aktuale për ta pasur nën kontroll. Dy dosjet e rëndësishme, si "Durrës-Kukës" dhe "Gërdeci", kanë vënë nën presion grupet hetimore, pasi përfundimi para zgjedhjeve mund të sjellë sulme të paprecedentë nga klasa politike. Por kur duhen edhe pak muaj nga fillimi i fushatës elektorale, prokuroria ka marrë dje "shuplakën" e parë nga ish/zv-ministri i Transporteve, Armand Teliti, i akuzuar si një nga personat që ka firmosur ndërtimin e rrugës, pa pasur më parë një projekt. Ai akuzoi organin qendror të akuzës së po shtyn qëllimisht hetimet para fillimit të zgjedhjeve. Shefi aktual i Drejtorisë së Gjendjes Civile, edhe ky një institucion që ka lidhje të drejtpërdrejta me zgjedhjet si dhe i sulmuar nga opozita se po manipulon listat e zgjedhjeve, deklaroi dje se veprimi i prokurorit bëhet për çështje politikë. Por, akuza qendrore reagoi dje zyrtarisht, duke pohuar se janë pikërisht të pandehurit e çështjes Durrës-Kukës që kanë sjellë shtyrjen e afateve të hetimit prej tyre. Sipas grupit hetimor, zgjatja e afatit hetimor me një muaj është bërë pasi deputeti pa imunitet, Lulëzim Basha dhe dy të pandehurit e tjerë, Teliti e Toma, nuk janë shprehur me shkrim në lidhje me përfundimet e dy ekspertëve kontabël, të cilët kanë kryer vlerësimin e dëmit që i është shkaktuar shtetit shqiptar në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Mungesa e këtij veprimi, si dhe disa veprime teknike, që kanë të bëjnë me raportin e ekspertëve, sipas akuzës, sollën edhe shtyrjen e afatit hetimor. Në lidhje me padinë nga dy të pandehurit e dosjes, grupi hetimor deklaroi dje, pasdite, se çdo i pandehur ka të drejtat në bazë të ligjeve shqiptare të ankohet në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Ndërsa për komentin e ish- zëvendësministrit Teliti, se shtyrja kishte të bënte me zgjedhjet e vitit 2009, hetuesit e çështjes deklarojnë se puna e organit të akuzës nuk është lidhur me fushata apo zgjedhje. Sipas tyre, intuita e të pandehurve është një "gënjeshtër me bisht", pasi janë po këta persona, që nuk kanë kryer të gjitha procedurat sipas ligjit. Ironikisht, hetuesit e çështjes thanë se, nëse ka dyshime se prokuroria po vonon dërgimin e dosjes në gjykatë për motive politike, atëherë dosja mund të dërgohet para zgjedhjeve lokale të 2011-ës, ku në "pushtet" është opozita, pasi ka fituar shumicën e bashkive kryesore në Shqipëri.
Përpos hamendësimeve politike, grupi hetimor deklaroi dje se rëndësi kanë provat që gjenden në dosjen hetimore dhe jo deklaratat "politike" të të pandehurve. Sipas tyre, raporti i fundit i ekspertëve kontabël është mjaft i qartë, për abuzimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve për sa i përket mënyrës së financimit të ndërtimit të "rrugës patriotike". Sipas akuzës, akt-ekspertimi i dy ekspertëve kontabël, Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana, ka nxjerrë një dëm kolosal që i është shkaktuar shtetit, me anë të procedurave dhe mënyrës së shpalljes së fituesit të tenderit. "Në këtë raport disa faqesh, ekspertët kontabël, Ahmetaj dhe Katana, kanë arritur në përfundim se drejtuesit e Ministrisë së Transporteve, me veprimet dhe mosveprimet e tyre në procedurat e ndjekura dhe përcaktimin e fituesit të tenderit për ndërtimin e rrugës Durrës - Kukës, pa tunelin, i kanë shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej miliona eurosh, ndërsa rruga në total do t‘i kushtojë shtetit shqiptar 1 miliard e 23 milionë euro",thuhet në raportin, e administruar tashmë nga akuza qendrore.
Dy ditë më parë, të pandehurit Armand Teliti e Andi Toma janë njohur me këtë akt-ekspertim kontabël të vlerësimit të dëmit, procedurë kjo që ministri Lulzim Basha e ka kryer kohë më parë. Sipas akuzës, i është lënë kohë një muaj personave që hetohen për këtë çështje që të dorëzojnë raportin me pretendimet e tyre në lidhje me vlerësimin. Ndërsa mbrojtja, nga ana e saj, tha dje se ende nuk e ka parë raportin, pasi nuk përcaktohet në ligjet shqiptare që të pandehurit duhet të japin shpjegime. Kundërpërgjigjja e akuzës vazhdon se dy ekspertët, Katana dhe Ahmetaj, nuk janë marrë me diferencat e çmimeve dhe ofertave, por vetëm me konstatimin e vlerës së ndërtimit të segmentit rrugor Durrës-Kukës, pa tunelin, vlerë e cila ka njohur një rritje të madhe, për shkak të funksionimit të punimeve aty me nënkontraktorë.