Dënohen tifozët e Juves, kore raciste ndaj Balotelit
TORINO- Federata Italiane e Futbollit ka dënuar tifozët e Juventusit për shkak të koreve raciste ndaj Mario Balotelit. Vendimi është marrë nga gjykatësi sportiv që ka urdhëruar mbylljen e pjesës së tifozëve ultras për ndeshjen e 23 janarit Juventus-Roma. Koret raciste ndaj sulmuesit të Interit kanë qenë të shpeshta në këto javë të Serisë A, por ato arritën kulmin në ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Napolit. Pjesa e mbyllur do të jetë ajo e Kthesës së Jugut së stadiumit “Olimpiko” të Torino, që janë të abonuara nga një pjesë e tifozerisë ultrase të “Zonjës së Vjetër”. Juventusi është gjobitur shpesh për sjelljen e fansave të tij, por këtë herë gjykatësi sportiv ka avancuar në masat e marra. Ai e ka quajtur përsëritës klubin dhe ishte kjo arsyeja e mbylljes së një pjese të stadiumit. Drejtuesit e Interit, si presidenti Morati, por edhe njerëz të rëndësishëm të futbollit si Mishel Platini, kanë kërcënuar me ndërprerje të ndeshjeve në rast se koret raciste ndaj Mario Balotelit do të përsëriten. Ndërkohë në rrezik ndodhet edhe ajo që quhet Kthesa e Veriut, ku rrinë ultrasët e tjerë. Juventus-Roma do të luhet të shtunën më 23 janar. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)