E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Liverpuli, në gjurmët e trajnerit Gus Hidink

TORINO- Gus Hidink tashmë ndodhet drejt pankinës së Liverpulit, duke vënë gjithçka në dyshim për një kalim të tij në krye të Juventusit. Lajmet që vijnë nga Anglia flasin se trajneri holandez është i joshur nga marrja e drejtimit të skuadrës mitike të këtij vendi, ndonëse vetëm 3 ditë më parë ai shihej si pasuesi i çiro Ferrarës në stolin bardhezi. “Do të më pëlqente të drejtoja akoma në Angli”, ka pranuar Hidink, që është lënë i lirë nga Federata Ruse për të drejtuar një klub. Ndërkohë, aventura e Rafa Benitez në stolin e të kuqve duket drejt fundit pas humbjes shokuese në shifrat në Kupën e Anglisë që kjo skuadër pësoi të mërkurën kundër modestëve të Ridingut. Reputacioni i tij në “Anfield Road” nuk është më ai i mëparshmi dhe sipas mediave angleze, edhe kapiteni Stiven Xherard ka pranuar një krisje të raporteve me teknikun spanjoll. Për momentin Liverpuli ndodhet në vendin e shtatë me 33 pikë në kampionat dhe i eliminuar nga Liga e Kampioneve. Në rast shkarkimi, në Angli flitet se Benitez do të kalojë në krye të Juventusit në Serinë A italiane. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›