E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Provat e “Gërdecit të ujit” në Asamblenë e PS

TIRANE- Pas përpjekjes së kryeparlamentares Topalli për të bindur deputetët socialistë të rikthehen në Kuvend, kreu i selisë rozë bën të ditur se qëndrimi i opozitës nuk do të ndryshojë deri në plotësimin e kërkesave të saj për transparencën e zgjedhjeve. “Partia Socialiste nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj për tu bërë pjesë e një parlamenti që nuk ka kurajon të hetojë zgjedhjet” u shpreh kryesocialisti në një konferencë për shtyp në mbrëmje duke theksuar se axhenda e aksionit politik të socialistëve u shty për shkak të përmbytjeve në veri të vendit. “Ne besojmë tek një politikë e re që radhën e punëve e përcakton në bazë të interesave dhe nevojave të njerëzve” tha Rama. Ndërsa konsideroi përmbytjet në Shkodër si “Gërdecin e ujit”, sipas tij të shkaktuar nga qeveria, Rama bëri të ditur se provat e faktet që ëvrtetojnë se situata e krijuar nuk erdhi për shkak të kushteve të natyrës do të bëhen publike në mbledhjen e Asamblesë së PS-së paraditen e së dielës. “ Do ti ftoj shqiptarët të ndjekin ditën e dielë në orën 10:30 të gjitha provat e përmbytjes së mijëra shtëpive e hektarëve të tokave të mbjella” u shpreh Rama. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›