Përmbytjet, seancë e jashtëzakonshme në Kuvend
TIRANE- Përmes një njoftimi për shtyp, kryesia e Kuvendit të Shqipërisë bën të ditur se seanca plenare e ditës së hënë, datë 18 janar 2010, do të jetë seancë e jashtëzakonshme, kushtuar përmbytjes nga fatkeqësia natyrore në qarkun e Shkodrës. Kuvendi fillon të hënën rreth orës 17:00, seancën e parë të këtij viti me diskutime rreth fatkeqësisë që mbërtheu Shkodrën për më tepër se 10 ditë. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u dërgoi sot një letër të gjithë deputetëve socialistë duke u kërkuar ti japin fund bojkotit të Kuvendit dhe të marrin pjesë në punimet që rinisin më 18 janar. “Ju njoftojmë se në këtë seancë ju keni mundësi ti jepni fund bojkotit dhe të mos lejoni mbarimin e mandatit tuaj si për shkak të mosbërjes së betimit ashtu dhe për shkak të mospjesëmarrjes në Kuvend për 6 muaj me rradhë” theksoi Topalli në letrën e saj drejtuar 64 deputetëve të opozitës. Ndërkaq në një reagim të Partisë Socialiste mbrëmjen e sotme, deputeti Sajmir Tahiri ka akuzuar kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli se “po krijon diversion dhe presion ndaj deputetëve të PS-së” ndërsa theksoi se opozita mbetet e vendosur në rrugën e saj. (e.n/BalkanWeb)