E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohet Banda e Zanit, kapoja merr 18 vite burg

Gjykata shprehet se mungojnë provat e krimeve të vrasjeve për të cilat u akuzuan pjesëtarët, por janë fajtorë për grabitje


TIRANË- Gjykata e Tiranës, dënoi pas një maratone prej 118 seancash në 6 vitet e fundit të akuzuarit si pjesëtarë të "bandës së Çoles", drejtuar nga Myrteza Çaushi. Dje trupi gjykues i drejtuar nga Altin Abdiu, dha vendimin ndaj të pandehurve, Dorian Saliu, Renato Çerçizi, Skënder Bajrami, Hair Hiraj në mungesë dhe me të vetmin të arrestuar në këtë proces gjyqësor Myrteza Çaushin i njohur me emrin e tij shkurt Zani.

Të akuzuarit, gjykoheshin për disa krime që dyshoheshin të ishin kryer prej tyre gjatë viteve 1997- 98 në Vlorë. Ndaj të pandehurve u vërtetuan akuzat e "grabitjes me dhunë" në kuadër të bandës.

Për këtë ata u deklaruan fajtorë duke u dënuar me 50 vjet burg së bashku. Për të pandehurin Renato Çerçizi gjykata dha pafajësi, me arsyetimin se nuk është vërtetuar se ai ka marrë pjesë në grabitje. "I pandehuri Dorian Saliu, ka marrë pjesë dhe ka kryer një sërë grabitjesh me dhunë në kuadër të "bandës". Për këto krime u deklarua fajtor dhe u dënua me 22 vjet burg".

I akuzuari si kreu i "bandës së Çoles", Zani Çaushi u deklarua fajtor si drejtues i këtij grupi të armatosur. Por sipas gjykatës, nuk u provua se ai ka marrë pjesë vetë në grabitje, dhe u dënua me 18 vjet burg. Ndërkohë, dy të pandehurit e akuzuar si "ushtarë" të kësaj bande të pandehurit në mungesë, Pëllumb Bajrami e Hair Hiraj u dënuan vetëm me nga 5 vjet burg secili për kryerjen e një grabitjeje.


Renato Çerçizi, që akuzohej se ka kryer vjedhje me dhunë u deklarua i pafajshëm për mungesë të provave",- thuhet në arsyetimin e vendimit. Gjithashtu, gjykata nuk harroi të shprehet edhe për akuzat ndaj pesë të pandehurve për vrasjen e shtetasve: Bernard Duçka, Niko Boraku, Neritan Dednika dhe Edmond Dednika. Sipas vendimit, "gjatë procesit gjyqësor nuk u faktua se të pandehurit kanë kryer këto vrasje".


Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, përfaqësuesi i akuzës kërkoi në pretencën e tij, dënimin e pesë të pandehurve me 102 vjet burg në total, duke i deklaruar fajtor për kryerjen e një sërë veprash të rënda penale, nga ajo e vrasjes e deri tek rrëmbimi i personit dhe vendosjes së gjobave për lirimin e tyre.


"Pas procesit të gjatë gjyqësor është provuar se të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në kohë të ndryshme kanë kryer një sërë vrasjesh, rrëmbimesh dhe vendosje gjobash. Për kryerjen e këtyre veprave penale kërkojmë nga Gjykata dënimin e të pandehurve Myrteza Çaushi, Dorian Saliu e Skënder Bajrami me nga 25 vjet burg secili, dënimin me 22 vjet burg për shtetasin Renato Çerçizi dhe me 5 vjet burg për shtetasin Hair Hiraj",- thuhej në pretencën e prokurorisë ditë më parë.

"Jam i pafajshëm. Të gjitha akuzat ndaj meje janë politike. Unë nuk kam vrarë njerëz përkundrazi kam shpëtuar jetë njerëzish e nuk kam vendosur gjoba nëpër qytetet e jugut. Kam shpëtuar nga vrasjet policë, prokurorë, gjykatës e pengje që janë marrë nga të tjerët",- tha Zani në seancën e parashtrimit të pretendimeve të tij, edhe pse këtu e 11 vjet më parë është dënuar me burg të përjetshëm dhe ndodhet në izolim që prej asaj kohe. Sipas akuzës, të gjitha këto vepra penale janë kryer gjatë vitit të mbrapshtë 1997 në qytetin e Vlorës dhe zonat për rreth.

Prangosen dy të kërkuarit.

TIRANE- Dy persona që rezultonin në kërkim, janë arrestuar gjatë ditës së djeshme nga Drejtoria e Policisë së kryeqytetit për akuzat e trafikimit të mjeteve motorike dhe të shitjes e shpërndarjes së drogës.


Ardian Beqiri, 30 vjç, me banim në rrugën "Him Kolli", në Tiranë, u ndalua nga Policia, ndërsa ishte në kërkim me urdhër të prokurorisë së Tropojë. Ai akuzohet sipas burimeve të Policisë, për trafik të mjeteve motorike në drejtim të Shqipërisë, ndërsa prokuroria i kishte kërkuar policisë arrestimin e tij.


Dje Beqiri është ndaluar nga policia ndërsa mësohet se është transferuar në komisariatin e Tropojës. Ndërkaq vç tij, policia ka arrestuar Endri Ziun, të shpallur në kërkim nga policia e kryeqytetit për shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike në Tiranë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›