Kashari, 28 vjet burg e 24 mln lek gjobë 7 të pandehurve
Gjykata shpall fajtorë me gjysmën e dënimit të kërkuar nga prokuroria, të akuzuarit për abuzime me pronat në Kashar,
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, deklaroi fajtorë dje shtatë të pandehurit e akuzuar për abuzimet me pronat në komunën Kashar, ndërsa i dënoi ata në total me 28 vjet e 8 muaj burg dhe 24 milionë lekë gjobë. Kjo masë dënimi e dhënë prej trupit gjykues të kësaj çështjeje qe përafërsisht gjysma e pretencës së kërkuar nga organi i akuzës për këtë dosje.
Treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Sokol Tona, pas përfundimit të hetimit gjyqësor, që u shqyrtua në aplikim të procedurave të gjykimit të shkurtuar, dëgjimit të pretendimeve të palëve në proces dhe vetë të pandehurve, vendosi deklarimin fajtorë, duke shpallur masat e dënimit për 7 të pandehurit.
Sipas vendimit të gjykatës, të shtatë të pandehurit në raste të ndryshme dhe me role të vçanta, kanë kryer veprat penale të "falsifikimit të dokumenteve", "shpërdorimit të detyrës", "korrupsionit pasiv të zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike", "pastrim të produkteve të veprës penale" dhe akuzës së "Mashtrimit në shuma të mëdha" në bashkëpunim.
I pandehuri Alfred Sula, i cili e ka cilësuar këtë proces gjyqësor me prapavijë politike ka kryer në bashkëpunim me ish-vartës të tij, pasi mbante detyrën e ish-kryetarit të Komunës së Kasharit, ka konsumuar në 13 raste akuzën e "falsifikimit të dokumenteve", për këto veprime, ai u dënua me 6 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë. "Ish-kryetari tjetër i kësaj komune, i pandehuri Faik Fejzo, deklarohet fajtor nga gjykata për "falsifikimin e dokumenteve", në gjashtë raste dhe për kryerjen e këtij krimi dënohet përfundimisht me 4 vjet burg dhe 5 milionë lekë gjobë"- thuhet ne vendimin e gjyqtarit Tona.
Sipas tij, edhe ish-punonjësi i komunës, i pandehuri Bardhyl Kamberi, që ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë për të cilin organi i akuzës kërkoi që ndaj tij të pezullohet masa e dënimit, gjykata vendosi ta dënojë me 2 vjet burg e 2 milionë lekë gjobë, pasi sipas akuzës, ka kryer në 6 raste "falsifikimin e dokumenteve" për përvetësimin e pronave.
I pandehuri Shefqet Alikaj u deklarua fajtor për "falsifikimin e dokumenteve" të pronave në 9 raste, duke u dënuar përfundimisht me 3 vjet burg e 3 milionë lekë gjobë. Edhe i pandehuri Islam Shera u deklarua fajtor për akuzën e "falsifikimit të dokumenteve" në 9 raste dhe pastrim të parave dhe u dënua me 3 vjet burg e 2 milionë lekë gjobë. Ndërsa, dy përfituesit e pronave, Ismail Sula dhe Xhevahir Hyka u deklaruan fajtorë përvç për veprën penale të "falsifikimit të dokumenteve", "mashtrimit" dhe "pastrimit të parave", duke u dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg dhe 2 milionë lekë gjobë Ismail Sula dhe 4 vjet burg e 4 milionë lekë gjobë Hyka.
Ndërkohë, prokurori i çështjes Armand Gurakuqi në leximin e konkluzioneve përfundimtare, ka kërkuar nga togat e zeza që shtatë të pandehurit e kësaj dosjeje të dënohen përfundimisht me 55 vjet burg në total pa aplikuar gjykimin e shkurtuar, ndërsa gjykata i dënoi pa aplikuar gjykimin e shkurtuar me 34 vjet burg në total. Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, gjykata i fali të shtatë të pandehurve 21 vite burg. Sipas akuzës, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin por në raste të ndryshme kanë mundur të falsifikojnë dokumentet për 363 mijë m2 tokë. Kjo iu është shitur të tretëve në 73 raste korruptive.
Dosja ndaj të pandehurve Naim Karaj, Ismai Bakalli dhe Ruhi Vllasi është ndarë dhe po gjykohet procedim në vete.
TË PANDEHURIT
Alfred Sula, 6 vite burg, 6 milionë lekë gjobë, 13 raste falsifikimi
Bardhyl Kamberi, 2 vite burg, 2 milionë lekë gjobë, 6 raste falsifikimi
Faik Fejza, 4 vjet burg, 5 milionë lekë gjobë, 8 raste falsifikimi
Islam Shera, 3 vitet burg, 2 milionë lekë gjobë, 9 raste të falsifikimi dhe pastrim parash
Ismail Sula, 6. 8 vite burg dhe 2 milionë lekë gjobë, për mashtrim, pastrim parash dhe falsifikim
Shefqet Alikaj , 3 vite burg, 3 milionë lekë gjobë, 9 raste falsifikimi
Xhevahir Hyka 4 vite burg, 4 milionë lekë gjobë, 1 rast falsifikimit dhe pastrimi parash