E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Remzi Hoxha", ish- kreu i SHIK-ut rrëfen rrëmbimin e biznesmenit

Fatos Klosi ka përsëritur në dëshminë e tij me dyer të mbylluara, informacionin e përgatitur për Avokatin e Popullit

I zhdukuri dhe të rrëmbyerit e tjerë dyshoheshin se po përgatisnin atentat ndaj ish- ministrit të Brendshëm, Agron Musaraj

Tiranë- Ish- kreu i SHIK-ut, dëshmon me dyer të mbyllura, në Gjykatën krimeve të Rënda në procesin e rrëmbimit të Remzi Hoxhës, ku akuzohen ish- kreu i SHIK-ut të Tiranës në vitet '93- '97, Arben Sefgjini, ish- vartësit e tij, Ilir Kumbaro, Budjon Mçe, Avni Koldashi.


Të katër këta persona, ish- efektivë të Shërbimit Informativ Shtetëror, tashmë janë nën akuzë për rrëmbimin dhe zhdukjen e Hoxhës. Ish- kreu i SHIK-ut, i kërkoi gjykatës dhe po kështu edhe prokurori që përfaqësonte akuzën që dëshmia e tij të merrej me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave dhe të gazetarëve.

Sipas burimeve, gjatë seancës së zhvilluar me dyer të mbylluara dje, Klosi, ka pohuar se është njohur me rrëmbimin e Hoxhës, nga vëllezërit e të zhdukurit dhe një mik tjetër i familjes së biznesmenit shqiptaro- maqedonas. "Sapo jam emëruar në krye të SHIK- ut, kam marrë kontakt me vëllezërit dhe me të afërm të tjerë të tij për këtë çështje që më kanë paraqitur ankesën e tyre".

Më tej ish- drejtuesi i shërbimit iteligjent ka rrëfyer se pasi ka marrë këtë ankesë kishte caktuar një inspektor për t'u marrë me këtë çështje. "Pasi kam marrë këtë ankesë, i kam kërkuar një inspektori të bëjë verifikime për këtë rast. Pas verifikimeve të kryera, ai më ka raportuar se nuk kishte asnjë dokumentacion për këtë rrëmbin në arkivat e Shërbimit. Më pas, po ky inspektor është takuar edhe me familjaret duke i vënë ata në dijeni për këtë situatë",- tha Klosi.


Letra


Më tej ish- numri një i Shërbimit Sekret, sipas burimeve, ka përsëritur në sallën e Gjykatës së Krimeve të Rënda, informacionin që ai i kishte nisur Avokatit të Popullit më 30 korrik të vitit 2002, në lidhje me zhdukjen e Hoxhës.


Ky informacion i është nisur Avokatit të Popullit, vetëm shtatë ditë përpara se numri një i shërbimit sekret t'i dorëzonte detyrën Kujtim Hysenajt. Informacioni i mësipërm bënte fjalë pikërisht për personat që ishin marrë me rastin e Remzi Hoxhës, Avdyl Loshajt e Ziso Kristopullit.


Në letër Klosi ka përmendur se Remzi Hoxha, është rrëmbyer më 21 tetor të vitit 1995. Një grup personash e kanë marrë forcërisht në ambientet e firmës së konstruksioneve të duraluminit, pronari i së cilës ishte i rrëmbyeri.



"Nga verifikimet e bëra rezulton se një ndër automjetet që është përdorur në këtë ngjarje, me targë TR 2449 C, i takonte SHIK-ut dhe kjo makinë është tërhequr nga shefi i prapavijës së SHIK-ut të Tiranës, N.D. për nevoja operative më datë 20 mars 1995.


Më pas i është dorëzuar ish-drejtorit të SHIK në Tiranë, M.H. Nga të dhënat operative konfirmohet fakti se në këtë operacion ka marrë pjesë edhe ish-shefi i bazës nr.10 të vëzhgimit, Avni Koldashi, i cili më pas e ka dorëzuar te një grup oficerësh operativë, ku ndër më kryesorët kanë qenë Ilir Kumbaro dhe Arben Sefgjini, përkatësisht kryetar dege dhe zv/drejtor në drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë".,- thuhet më tej. Personat e tjerë mësohet se janë pyetur të dyshuar si të lidhur me shërbimin sekret jugosllav dhe se kishin përgatitur atentate ndaj ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Agron Musaraj dhe përfaqësuesve të lartë të Shtetit. Më tej procesi ka vazhduar me dëshminë e një miku të familjes së Remzi Hoxhës, i thirrur në proces nga Gjykata e Krimeve të Rënda.


Kush mori pjesë në rrëmbimin e Remzi Hoxhës

Si përfundim, në rrëmbimin dhe trajtimin e Remzi Hoxhës, pak a shumë konfirmohet të kenë marrë pjesë: Avni Koldashi, liruar nga SHIK me kërkesën e vet në vitin 1998, aktualisht me banim në Tiranë.


Kumbaro, liruar nga SHIK në vitin 1996, me banim në Londër (Angli). Budion Mçe, i liruar në shtator të vitit 1997, me banim në Tiranë, Arben Sefgjini, i liruar në vitin 1997, me banim në Tiranë.


Bexhet Muhellari, ish-inspektor i zonës ku banonte Remziu (pjesëmarrja e tij në rrëmbim del vetëm nga një burim).


Roland Dedej, ish-shofer i Ilir Kumbaros, rezulton të ketë marrë pjesë në veprimet ndaj tre personave të rrëmbyer. Po ashtu, dyshohet të kenë marrë pjesë Xh.Xh si dhe të ketë dijeni ish-shefi i kundërzbulimit Flamur Gjymyshka (kunat i Bashkim Gazidedes).


Theksojmë se për këtë çështje është bashkëpunuar rregullisht me Drejtorinë e Hetimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila posedon përgjithësisht të gjitha materialet që disponohen nga ky shërbim.

Deponimet e Loshajt dhe Kristopullit


Mbi thelbin e këtyre deponimeve të Armando Loshajt jep shpjegim Ziso Kristopulli, të cilin oficerët e SHIK-ut e kanë pyetur, vç të tjerash, për këto çështje kryesore:

"Çfarë udhëzimesh merrje kryesisht nga Ruçi, Meta, Angjeli, Dokle e Agolli, të cilët janë kryetarët e grupeve të agjenturës serbe në Sarandë, Vlorë, Shkodër, Durrës e Elbasan... kë keni kryetar... sa armë e dinamit do të sillni nga Serbia në Shkodër.... ku janë depot në këtë qytet... çfarë strategjie keni për fushatën e zgjedhjeve, po humbët... cilët udhëheqës të partisë keni në lista për vrasje.... Po Remziu çfarë detyrash ka... ku e sa herë jeni takuar me të... paratë kush ua sillte.... si e keni organizuar atentatin kundër Musarajt...etj.".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›