E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohet Pogradeci, gjithë vitin jashtë dhe -3 pikë

TIRANE- Federata Shqiptare e Futbollit ka dënuar me zhvillimin e të gjitha ndeshjeve sezonale jashtë fushe dhe me zbritjen e 3 pikëve në tabelën e renditjes klubin e Pogradecit, pas dhunës së ushtruar ndaj arbitrave në ndeshjen e ditës së shtunë kundër Teutës. Vendimi është thuajse i njëjtë me atë të Laçit, madje argumentimi i Komisionit të Disiplinës është identik: dështim në përmbushjen e përgjegjësive të organizimit të ndeshjeve, cënim i sigurisë së zyrtarëve me pasojë dhunimin e tyre dhe hedhje e sendeve të forta në fushë.

Edhe pse Pogradeci nuk është përsëritës në ngjarje të tilla, KDS ka marrë parasysh rëndësinë e ngjarjes, në këtë rast, goditja e arbitrave. Vendimi i djeshëm konfirmon atë që flitej, ndërsa Pogradeci tashmë rrezikon shumë përsa i përket qëndrimit në Superligë. Dënimit nuk i ka shpëtuar as trajneri i këtij ekipi, Ylli Çekiçi, që është pezulluar për 8 ndeshje dhe gjobitur me 100 mijë lekë. Akuza për të ka qenë ajo e sjelljes së pahijshme ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Ndërkohë, lojtari Isa Eminhazeri, po për sjellje jo sportive ndaj arbitrave, është dënuar me 6 ndeshje pezullim dhe 100 mijë lekë gjobë. Me 4 ndeshje pezullim dhe 100 mijë lekë gjobë është ndëshkuar edhe lojtari tjetër i këtij klubi, Nexhat Drazhanin. Në vendimin e djeshëm të Disiplinorit bie në sy edhe dënimi i lojtarit të Vllaznisë Armando Vajushi dhe i atij të Dinamos Endri Lala, për goditje të njëri-tjetrit. Ata janë dënuar të dy me nga 3 ndeshje pezullim për shkak të sherrit të plasur në sfidën e ditës së shtunë.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›