E Diel, 1 Nëntor 2026

Becaj: Drejtësia ka probleme, politika e sulmon

TIRANE- Në ceremoninë e diplomimit të magjistrateve te rinj, Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj u shpreh se sistemi gjyqësor ka probleme sot, ndërsa u shpreh se politika shpeshherë e ka vënë në qendër të sulemeve të saj.

“Jemi të ndërgjegjshëm që sistemi gjyqësor po has probleme të cilat kërkojnë vëmendjen e të gjithë institucioneve shqiptare. Gjyqësori vijon të jetë në fokus të debateve të politikes, duke e vënë jo pak herë në qendër të sulmeve”, tha ajo.

Becaj i kërkoi brezit të ri të magjistratëve të jenë më të përgatitur, pasi sic tha ajo “Ka pasur mjaft komente negative ndaj gjyqtarëve për marrjen e disa vendimeve”.

Ina Rama: Reformimi të nisë nga vetja
E pranishme në këtë aktivitet ka qënë edhe Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, e cila apeloi që Drejtësia të ngrihet në një nivel më të lartë.

Duke iu referuar raportit të BE, Ina Rama tha se “Në raport është shqetësues niveli i korrupsionit. Reformimin e drejtësisë, ta nisim së pari nga vetja”, tha ajo.

Ambasadorët: Të reformohet drejtësia
Nga ana e tij Ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth u shpreh se një drejtësi transparente është shtylla e demokracisë “Ligjet e mira formojnë bazën e shtetit. Duhen standarde më të larta për gjyqtarët”, nënvizoi ai.

Edhe ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu shprehu nevojën e reformës në Drejtësi, si një pikë kyce për integrimin në Bashkimin Europian.
“Reformat duhen për progresin e Shqipërisë. SHBA ju mbështet dhe kërkon më shumë prej jush“, shtoi Arvizu.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›