E Diel, 1 Nëntor 2026

Fevziu: Nano president, Bamir Topin nuk e kam vlerësuar kurrë

TIRANE-Drejtuesi i emisionit "Opinion", gazetari Blendi Fevziu rrëfen në një intervistë për "Tonight" të Ilva Tares kujtimet e dhjetorit '90 dhe raportin e tij me politikën. Fevziu thotë se do të ishte dakord me Fatos Nanon president dhe shton se kreun aktual të shtetit nuk e ka vlerësuar kurrë.
Më lejoni ta nis me një datë që dhe në kujtesën tuaj besoj ka mbetur. 11 prilli i 1985. Keni qenë në atë kohë 15 vjeç, gjimnazist i partizanit dhe lajmin me sa më thonë miqtë tuaj e keni marrë nga një profesor i matematikës. E kujtoni si e keni mësuar si ka vdekur Enver Hoxha.
E mbaj mend shumë mirë atë ditë për një rastësi shumë të çudicme. Unë jam një njeri shumë i rregullt dhe të vetmen parregullsi kisha që harroja çelësat e shtëpisë. Dhe meqenëse duhet të dilja në mëngjes dhe nuk gjeja çelësat e shtëpisë për të mbyllur shtëpinë kjo ishte një gjë që më përsëritej 2-3 herë në ditë. Mbaj mend që atë ditë nuk gjeja çelësat dhe isha në rrezik të humbisja orën e parë. Kur i gjeta çelësat mbaj mend që ishte ora 8 pa 5 minuta , më duheshin më shumë se 5 minuta për të arritur në shkollë dhe kur mbërrita kisha menduar dhe gënjeshtrën që do i thoja profesorit dhe s'mund t'i thoja që s'gjeja çelësat. Kur mbërrita, vura re që kishte një lloj qetësie të çudicme dhe në një moment pati një mësuese që ishte shumë e shëndoshë e cila gati gati bëri një vrap balerinë, u shfaq në derë dhe i bërtiti mësuesit tim: Urgjent, ka diçka të jashtëzakonshme , dil përjashta. Filloi një alarm që ne nuk e kuptonim , nga dritarja e klasës vura re që vitet e treta dhe të katërta që bënin zbor në atë kohë dhe ishin diku në politeknikumin 7 nëntor ose Harri Fultz sot po ktheheshin me uniforma ushtarake njëri pas tjetrit. U kuptua që diçka e çudiçme kishte ndodhur dhe ishte ky moment që po diskutoja me një shoqe të klasës, mbaj mend dhe bisedën tani, po diskutoja me një shoqe të klasës duke diskutuar një çështje që lidhej me punë shkëmbimi dollari. Dollari atëherë për të arratisurit shkëmbehej me 20 lek për ata që nuk ishin të arratisur me 70 lek dhe një moment profesori hyri dhe tha ka ndodhur diçka shumë e rëndë, diçka shumë e dhimbshme.
Më thotë profesori, shoku Enver është në gjendje të rëndë e po ndërron jetë. Ky ishte moment, mbaj mend që një pjesë e klasës time vinim nga e njëjta lagje që çuditërisht e kishim kontestuar komunizmin me heshtje pa asnjë gjest po në bisedat nën zë nuk e donin. Vinin nga një klasë e mesme kryesisht që kishin qenë punonjës të administratës së mbretërisë, tregtar të mesëm dhe vegjël të cilët e kishin kontestuar komunizmin për problemin e pronës jo për problem ideologjie. Ai i kishte konfiskuar pronat, iu kishte prishur jetën e tyre me një stabilitet dhe ata e urrenin komunizmin. E vura re që shumica e shokëve të klasës filluan të flisnin pësh pësh, diçka në vesh.
Po çfarë ndjesie pate? Çfarë ndjeve?
Unë personalisht? Kënaqësi të jashtëzakonshme!
Që në atë moshë, 15 vjeç?
Nuk është puna në atë moshë.
Do doja një koment për komentuesit: Nuk mund të jetë i besueshëm Fevziu sepse ka bindje të hapura të djathta.
Po padyshim që i kam bindje të hapura të djathta, këto s'kanë lidhje me profesionalizmin tim. Domethënë me të shkruajturin.
Në '91 keni qenë student për Gjuhë-Letërsi shqipe si ndodhi që u bëtë gazetar?
Nuk kisha asnjë plan për tu bërë gazetar dhe e kam thënë disa herë dhe shumë prej shokëve të mi për të cilët mund të flas nuk kishim një model në gazetari. Shumë miq me të cilët unë jetoja në fakultet nuk ishin njerëz që lexonin gazetën 'Zëri i Popullit' apo 'Bashkimi', por lexonin gazetën 'Drita' dhe 'Zëri i Rinisë' faqen letrare. Pra ishin njerëz të lidhur me letërsinë. Që në gjimnaz unë mendoja se do bëhesha shkrimtar. Letërsia ishte ëndrra e madhe e imja dhe e miqve me të cilët jetoja dhe diku në vitin e dytë të fakultetit ishte një gazetë që quhej 'Studenti' që botohej nga Universiteti i Tiranës ishte dhe më e lirshme se në atë kohë kontrollet nuk kishin dhe aq evidente. E drejtonte Arben Muka një student i ekonomikut. Kryeredaktori i kësaj gazete na ftoi që të shkruanim disa përgjigje për disa tregime që çonin studentët në atë kohë, midis të cilëve çoja dhe unë dhe nuk mi botonin.
Pse nuk t'i botonin?
Nuk e di, tregimeve të mia ju ktheu përgjigje Mero Baze, kurse unë duhet të ktheja përgjigje për disa tregime të dikujt tjetër më duket të Thoma Gëllcit. Unë refuzova të jepja këto përgjigje dhe vendosja të shkruaja për një vepër të Bardhyl Londos, një vëllim me poezi shumë interesant. E shkruajta, u pëlqye, Arben Muka më tha mund të vish të na bësh edhe ndonjë gjë tjetër. Isha nga nxënësit shumë të mirë në letërsi por pak problematik në sjelljen e përditshme me profesorët dhe me Ben Blushin po mendonim ç'të bënim diçka që të bënim diçka ndryshe nga të tjerët, që të dallohej në gazetë. Është ajo koha kur njeriu ka një ëndërr dhe mund ta ndërrojë botën kollaj dhe ideja e parë ishte të bënim një intervistë me shkrimtarë dhe thamë do t'i bëjmë pyetjet ndryshe, provokuese do pyesim për jetën private etj. Ja thamë Mukës por tha ku ka shkrimtarë që të japë intervistë për gazetën 'Studenti'. E nisëm më Nasi Lerën një emër shumë i njohur në atë kohë ishte sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe befas për një vit e gjysmë kemi intervistuar pothuajse të gjithë shkrimtarët e Shqipërisë në disa intervista shumë interesante. Unë ruaj ende bllokun origjinal të pyetjeve të para që kam bërë. Ka qenë një bllok fletore 60 lekëshe quhej ku shkruajta të gjitha pyetjet për nxjerrë 7 pyetje. Kishim menduar me qindra pyetje për të arritur deri aty. Janë me shkrimin tim dhe të Blushit. I bënim bashkë, pra Ben Blushi, Blendi Fevziu madje dhe emrat i vinim një herë ai njëherë unë sipër kur intervistonim. Kjo bëri një bujë të madhe dhe në vitin '91 kur ndodhi lëvizja studentore Preç Zogaj i cili u intervistua nga ne në atë kohë na ftoi që të merrnim pjesë në gazetën 'Rilindja Demokratike' sepse gazetarët e vjetër refuzonin që të bëheshin pjesë e gazetës. E mbaj mend ditën që ka ndodhur ekzaktësisht. Bëmë një mbledhje për krijimin e gazetës. Pastaj nuk dihej se kur do krijohej. Kur një ditë në bordurën përballë 'Hotel Dajtit' ku kaloja mbrëmjet e mesditat mbërriti një djalë quhej Dritn Kaba një personazh i njohur i shtypit të këtyre viteve dhe më tha hajde se të kërkon Frrok Cupi se do bësh reportazhin hapës të 'RD-së'. Shkova me gjithë Blushin siç ishim. Takuam Frrokun dhe mbaj mend e kam fiksuar atë imazh. Ishte një zyrë bosh me një tavolinë vetëm pa karrige ku Frroku korrigjonte në këmbë. Tha t'i do shkruash një reportazh për katër ditët e lëvizjes studentore nga 8-12 Dhjetor dhe kur dolëm tha Blushi ta ndajmë bashke, po i thashë më mirë ta ndajmë bashkë dhe bëmë një reportazh që befas u lexua në një numër të pashembullt. Gazeta u shtyp në 100 mijë kopje u lexua nën dorë ndoshta gjysma e Shqipërisë e lexoi atë gazetë dhe ku ishte një fat shumë i madh.
Ndanit të njëjtin mendim me mocionistët që Berisha ishte autoritar?
Po pa dyshim, përderisa isha pjesë e tyre. Por parë në këndvështrimin e sotëm mendoj që shumë gjëra ishin ndryshe. Lexova një intervistë të Neritan Cekës që ishte shumë interesante por kam biseduar shpesh edhe me Imamin. Çështja është që mungonte krejtësisht koncepti mbi politikën. Dhe duke parë një intervistë të Elez Biberaj shumë interesante këto kohë Berisha ishte i vetmi që kishte një projekt politik të mirëfilltë, i vetmi që e dinte ku do shkonte, ku do dilte çfarë do bënte. Berisha ishte ndoshta njeriu më koshient që brenda një viti do ishte Presidenti i Shqipërisë dhe njeriu më i rëndësishëm politik në Shqipëri. Të tjerët ishin pak intelektualë dhe tekanjozë dhe me idenë që po nuk u bëra unë e lë, iki, kthehem në profesionin tim. Këto ishin fjalët më të përdorshme. Në fakt kur hyn në politikë, nuk ke pse kthehesh më në profesionin tënd
Ju kam ndjekur këto vite, keni qenë aktiv jo vetëm në TV por edhe shtypin e shkruar me analiza dhe komente tek të cilat nuk keni pasur drojë të thoni në disa raste miku im Kryeministër. A mendoni se është normale që një gazetar të ketë mik Kryeministrin dhe ku fillon dhe mbaron kufiri i gazetarit në këtë marrëdhënie miqësore?
Absolutisht. E para, është normale në çdo vend të botës dhe është gati gati edhe një lloj privilegji se nuk mund ta kesh kaq të ndarë. Ka pasur një model të gazetarit që jeton i izoluar pa kontakte. Çështja është të ndash raportin tënd, ndershmërinë profesionale nga raporti privat. Sot që të jesh gazetar duhet të jesh njeri i informuar dhe beteja kryesore është beteja për informacionin, ndryshe nga shumë vite më parë kur gazetarët kryesisht jepnin mendime bënin analiza më shumë se sa lajme dhe në këtë rast nuk donin të ishin të influencuar. Sot kryesorja është ta sjellësh lajmin i pari.
Juve si ju duket vetja?
Edhe mua sigurisht, por këtë gjë po ju them që e gjykon publiku.
Kur u rregullua marrëdhënia juaj me Berishën?
Nuk ka një moment të caktuar. Berisha ka ruajtur një marrëdhënie shumë korrekte me emisionin tim pas '97-ës kur e kam filluar. Ka ardhur në vitin 1998 për herë të parë në një shfaqe të tij publike në televizion në një intervistë live në emisionin tim, pas kësaj ka pasur up and down të vazhdueshëm vetëm se ka qenë një konstante. P.sh raportet nuk shihen individuale duhen parë edhe në kontekstin e televizionit dhe të grupit në të cilin punon. Mbaj mend në vitin 2000 raporti me TV Klan ishin shumë të tensionuara dhe megjithatë në zgjedhjet e vitit 2000 ai erdhi në emisionin 'Opinion', bëri intervistën që i takonte të bënte, me pyetje shumë të ashpra madje, shkuam më pas në hotel 'Rogner' pimë një kafe nuk e përmendi kurrë që ju më sulmoni apo të tilla si këto. Nuk ishte në stilin e tij të hynte në gjëra të vogla dhe më pas raportet kanë shkuar normale besoj që një lloj intensiteti më i madh ka qenë pas debatit me Nanon në vitin 2002. Madje mund t'ju them një detaj që nuk e kam thënë ndonjëherë. Në vitin 2002 kur kam shkuar për të biseduar debatin Nano-Berisha ka qenë një gjë krejt spontane si shumë gjëra në jetën time, ishte mbas takimit në Bruksel Nano më tha në telefon që unë vij bëj një përballje se unë i thashë që të njëjtat pyetje t'i bëj ty dhe Berishës dhe i bashkoj në studio ai tha, kështu me kamera këtej andej thuaji Berishës po të dojë të vijë në studio dhe bëjmë debatin. E mora Berishën në telefon. I thashë dua të vij të të takoj. Më tha hajde në orën 18:00. E mbaj mend si tani ishte ora 14:00 kur e telefonova isha te Piaza duke qëndruar me Sokol Ballën, Aleksandër Frangaj dhe Baton Haxhiu që insistoi shko fol me të. Vajta dhe për herë të parë në gjithë ato vite Berisha më priti vetëm. Deri atë ditë ndoshta duke menduar një gazetar konkurrent Berisha më priste me ndonjë mikun tim po të politikës pranë tij o ishte Mitro Cela, Astrit Patozi, Edi Paloka ose Ylli Rakipi. Ishte hera e parë që më priti vetëm ndoshta për të shmangur keqkuptimet dhe më tha po, do vij në debat. Pjesa më e madhe e bisedave me Berishën se njerëzit mendojnë që bisedat me një person të rëndësishëm janë bisedat që ai ka në fokus. Pra një njeri që merret me biznes mendon që po u takove me Kryeministrin flet për biznes, një njeri që merret me art mendon që po u takove me Kryeministrin flet për teatrin e kështu me radhë. Në fakt pjesa informale e bisedave të mia me Berishën janë biseda që i takojnë kryesisht probleme të politikës rajonale Kosovës, Maqedonisë dhe politikës së jashtme. Ndoshta sepse këto janë edhe pasione më të mëdha të miat.
Në vitin 2000 Rama ju ka vendosur në listën e këshilltarëve bashkiakë. Pse e refuzuat?
Jo nuk e refuzova. Biseda ime me Ramën ka qenë që do të më vendoste në listën e këshillit për të kontribuar për qytetin. Bëhej fjalë për një listë jo politike, pra një listë që do mbështeste kryetarin e bashkisë së asaj kohe. Unë e kam menduar dhe e kam pasur një pasion të madh për Tiranën e kam shprehur në shumë shkrime edhe në biseda informale, kam ndikuar për shumë gjëra që mund të bëheshin më mirë në këtë qytet., disa janë bërë aty ku janë bërë. Kam folur shumë për historikun e qytetit, por më pas kur lista u miksua për arsye të ndikimit të partisë në atë kohë me figura politike nuk kishte më kuptim dhe jam tërhequr nga lista.
Ju intrigon politika? Do bëheni pjesë e saj në një moment të caktuar?
Këto janë dy gjëra të ndryshme. Unë jetoj 24 orë me politikë. Gazetarët janë qenie politike më politike sesa shumë prej politikanëve aktivë, natyrisht jo sa Kryeminsitri. Ju siguroj sot se shumë prej gazetarëve të mirë në Shqipëri angazhohen në politikë shumë më tepër se sa Presidenti që ka një rol politik dhe e kuptojnë politikën shumë më mirë se sa Presidenti i Shqipërisë, por angazhimi politik është një gjë tjetër. Karakteristikat për të qenë një analist i mirë politik janë të ndryshme nga ato për të qenë një politikan i mirë. Për të qenë një politikan i mirë kryesorja është të marrësh vendime.
Cilat janë raportet tuaja aktuale me Edi Ramën, liderin e opozitës. Komunikoni me të?
Po komunikoj, jo intensivisht por komunikoj. Me sms, me telefona.
Shtypi i sotëm më ngacmoi në fakt, e ka ndarë edhe ardhjen te ceremonia e librit në dy mënyra: Çifti Berisha Nano dhe çiftin Rama Topi që nuk ishin të pranishëm. Pse nuk erdhi zoti Rama?
Topi ka qenë gjë tjetër. Zoti Rama ka qenë i ftuar, ka pasur një ftesë me shkrim si 20 veta në Shqipëri. Pjesa tjetër janë lajmëruar me sms dhe telefona. Nuk kam insistuar më shumë, kam biseduar me njerëzit e tij të afërt, s'dua të përmend emrat tani për korrektesë dhe ju kam thënë që nëse vjen është i mirëpritur. Unë kam pasur një sms nga zoti Rama ditën që ai ka promovuar librin e tij 'Kurbani' për të qenë i pranishëm, i kam thënë që do vi. Në një promovim libri unë shkoj pavarësisht raporteve, zoti Rama ka zgjedhur që të mos vijë. Unë gjykoj që mund të jenë disa arsye, mund të jetë një problem personal gjë që unë e përjashtoj përderisa kam një komunikim relativisht normal dhe unë kuptohem në komunikim me të, s'jam dakord por e kuptoj. Kam përshtypjen që zoti Rama e ka pak të vështirë përballjen me njerëz të cilët e kontestojnë. Madje një njeriu i tij i afërt po më thoshte një ditë që Rama ka një problem, ka shumë frikë ose siklet kur Berisha i del përballë i shoqëruar nga shumë njerëz. Kjo është një çështje e tija, unë nuk mund të bëj analizën psikologjike të zotit Rama. Zoti Rama nuk ishte dhe kaq.
Po në studion tuaj në 'Opinion' mungon prej 4 vjetësh, përse?
Është një zgjedhje e tija, në gjykimin tim , në analiza dhe çfarë na është thënë unë nuk mund të bëj publike tani bisedat private që kam pasur me shumë njerëz. Ky është një raport që lidhet me kushtëzimin që ka pasur kryeministri Berisha me Top-Channel. Zoti Rama ka preferuar të bëj një ndarje politike dhe të mediave, pra mos të jetë i pranishëm në studion e emisionit 'Opinion' për sa kohë ai e mendon që zoti Berisha mos të jetë i pranishëm në Top Channel. Kjo ka pasur disa negociata madje për të zbutur këtë klimë. Përgjigja ime ka qenë shumë e prerë në këtë rast, unë nuk mund të negocioj për askënd përveç vetes time. Unë e kam studion e hapur për këdo që mund të vi, por unë nuk mund të negocioj për një studio tjetër apo një politikan tjetër sepse është jashtë mundësive të mia dhe aftësive të mia dhe jashtë pretendimit që unë mund të kem për veten time.
Do ta shfrytëzonit influencën që keni tek kryeministri për ta bllokuar atë të shkonte diku?
Në asnjë rast dhe kryeministrit i kam insistuar disa herë, ka shumë koleg të mitë të cilët më kanë thënë dhe unë jua kam përcjell kur kam bërë bisedat informale, kam insistuar madje aq sa mund të më dëgjoj se nuk është se kryeministri dëgjon një njeri tjetër sidomos kryeministri Berisha është një njeri që i merr vendimet vet dhe kanë qenë kryesisht normale dhe nuk kanë lidhje me të. Kjo është një zgjidhje e zotit Rama dhe shpresoj të marrë një vendim që është sa më efikas për të sepse ai nuk do shoh çështjen e emisioneve televizive, ai do shoh çështjen e tij politike. Fati e ka sjellë që ai i ka humbur të gjitha garat që ka marrë pjesë, mund të vazhdojë në të njëjtën mënyrë.
Presidenti Topi nuk ishte dje, nuk e ftuat?
Presidenti Topi nuk ka pasur një ftesë të konfirmuar, ka pasur një letër që i ka shkuar si gjithë të tjerët por nuk ka pasur insistim. Në fakt s'dua ta them por unë nuk kam dashur që presidenti Topi të ishte dje në promovimin e librit.
Pse?
Çështje personale.
Nuk e keni simpati?
Ndonjë simpati të madhe për presidentin Topi nuk kam pasur kurrë. As në ditët që ka qenë në politikë. Ndonjë vlerësim për kapacitetin e tij politik po ashtu kurrë. I takon shtresës së njerëzve që thonë fjalë të përgjithshme pa thelb por kjo është një çështje e tij personale.
Aty pashë shumë politikanë të ftuar atje, për të gjithë ata atje keni simpati?
Jo jo absolutisht, unë thash që shkoi një ftesë për zotin Topi por unë personalisht nuk kisha dëshirë që të vinte. Natyrisht midis atyre të ftuarve unë kam ftuar politikanët për të qenë të pranishëm por ka një gjë, ju patë shumë politikanë por patë kryesisht politikanë me të cilët unë kam dhe një raport miqësor. Mund të jenë dakord ose mos jenë dakord nuk pati politikanë për protokoll dhe këtu dua të sqaroj dhe ata politikanë që se kanë gjetur veten aty. Njerëzit e ftuar kanë qene njerëz që në 15 vite unë kam ndarë diçka qoftë edhe një kafe, qoftë edhe një darkë pas emisionit, qoftë edhe një shkëmbim me të cilët shkëmbej telefonata dhe sms. Ka njerëz që mund të jenë të rëndësishëm politikisht por nuk janë njerëz të afërt të mitë.
Kisha menduar shumë pyetje të tjera dhe midis tyre çfarë thuhet në ato darka dhe te gota e verës pas emisionit.
Ju duhet ta dini sepse darka të ngjashme organizohen dhe mbas emisionit tuaj si shumë prej emisioneve që zhvillohet në Shqipëri, kështu që mekanizmin dhe teknologjinë e këtyre darkave e njihni më mirë se unë kështu që s'ka ndonjë gjë kaq interesante për tu thënë.
Kam dhe Nanon pyetje të fundit. U duk sikur patët një vëmendje të veçantë ta takonit dje me Berishën. A do ta aprovonit një kandidaturë të Nanos për president?
Unë kam pasur një vëmendje të veçantë dje që gjithë të ftuarit që unë i konsideroja që i kisha ftuar personalisht dhe me telefon të kishin një kombinim midis tyre. Përbën dhe një lloj interesi publik, nuk kam pasur ndonjë interes të madh të takoj Nanon me Berishën. Ka qenë raport miqësor. Unë kam me Nanon një raport që do tu duheshin edhe 15 minuta të tjera që të flasim.
Shkurt, Nano president?
Absolutisht po. Do ta shprehja dhe me shkrim këtë gjë së shpejti. Po kjo është çështja ime personale.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›