E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohet e moshuara, falsifikoi

TIRANE - Gjykata e Tiranës dënoi dje me 30 mijë lekë gjobë, një pensioniste 66-vjeçare, e cila u gjet fajtore të kishte falsifikuar disa dokumente me të cilët kishte përfituar një pension më të lartë. 

E moshuara S.Ç., para gjykatës pranoi faktin se kishte falsifikuar një vërtetim me të cilin kishte bindur autoritetet shtetërore që gjatë kohës së komunizmit kishte punuar në një ndërmarrje shtetërore dhe jo në kooperativë bujqësore. Me atë të këtij vërtetimi ajo kishte përfituar një pension rreth 10 mijë lekë të reja në muaj nga 3 mijë lekë që duhet ta kishte ligjërisht. Gjykatësi i çështjes duke vlerësuar si rrethana lehtësuese pranimin e fajësisë nga e paditura dhe moshën e madhe të saj vendosi të aplikonte dënim me gjobë për të. Sipas prokurorit të çështjes, vepra penale dyshohet se është kryer rreth një vit më parë dhe pasi është zbuluar nga institucionet shtetërore është denoncuar në Prokurori. Pas hetimeve rezultoi se e moshuara kishte mashtruar, duke pasur si qëllim trajtimin me një pension më të lartë nga ç'meritonte.               f.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›