E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji, 30% gra në institucionet shtetërore

Ka nisur me batuta dhe humor projektligji "Për barazinë gjinore", por kur kuota prej 30 % e përfaqësimit të femrave arrinte si në politikë, ashtu dhe në të gjitha nivelet e institucioneve të tjera 

 shtetërore ka prekur deputetët burra në komisionin parlamentar të Ligjeve. Deputeti i PR-së, Arjan Madhi ka deklaruar se një sanksion i tillë nuk mund të vendoset, pasi bie në kundërshtim me Kushtetutën. "Partia është grupim vullnetesh dhe unë si parti nuk mund të më detyrosh që të sanksionoj në ligj këtë kuotë, pasi mund të bie ndesh me Kushtetutën. Kjo gjë caktohet me statut dhe jo me ligj", deklaroi Madhi. Ndërsa socialisti Fino me ironi theksoi se, "unë kam një hall tjetër, po si do ia bëj unë me partinë time që përfaqësimi është në masën 50% e grave në forume. Unë jam pro, ndërsa republikanët janë kundër". Ndërsa Rusmali ka deklaruar me ton humori se "ky ligj po bëhet për të na mbrojtur ne nga gratë". Ndërsa një gjë e tillë është pranuar nga ana e ekspertëve të Ministrisë së Punës të pranishëm në komisionin parlamentar të Ligjeve. Ndërsa deputeti i PD-së, Pal Dajçi ka shtuar se, "edhe nëse miratohet ky ligj i tillë do të ketë fatin e ligjit antiduhan në Shqipëri", pra që nuk do të zbatohet asnjëherë. Deputeti i PD-së, Ilir Rusmali si dhe kryekomisioneri Fatos Beja paraqitën disa vërejtje, duke theksuar se duhen parë disa terminologji që janë përdorur, pasi bien ndesh edhe me Kushtetutën. Pas këtyre debate është vendosur që komisioni të vendosë përfundimisht në mbledhjen e ditës së hënë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›