E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohet ish-zëdhënësja e Hagës, nxorri informacion për Milosheviçin



Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavinë ka shpallur fajtore ish-zëdhënësen e kësaj gjykate dhe e ka dënuar atë me 7000 euro. Florenc Hartman u dënua me këtë gjobë pasi ka publikuar në librin e saj, e më pas në një artikull reviste, informacione konfidenciale rreth gjykimit të Sllobodan Millosheviçit. “Duhet ta bindim të akuzuarën ose çdo person tjetër që në të ardhmen të mos publikojë informacione konfidenciale”,- deklaroi gjykatësi Bakone Moloto duke dhënë gjykimin ndaj Hartmann, e cila u shpall fajtore për shpërfillje ose thyerje të rregullave të gjykatës. Hartman, 46 vjeçe, ndiqej penalisht për publikimin në librin e saj, “Paqe dhe ndëshkim”, të botuar në vitin 2007 dhe në një artikull të publikuar në vitin 2008, të përmbajtjes së dy vendimeve konfidenciale të TPI-së. Hartmann rrezikonte të merrte dënimin maksimal prej 7 vjetësh burg dhe 100 000 euro gjobë.

Greqi
Anarkistët sulmojnë policinë në Athinë
Rreth 14 anarkistë të rinj kanë sulmuar me bomba artizanale njësi të policisë në sheshin Eksarhia në Athinë, informuan mediat greke. Në këtë incident nuk pati të lënduar, por ndërkohë ka patur disa dëme materiale. Inicidenti nuk konsiderohet i rëndë, megjithatë shqetësime ka rreth faktit se gjendja mund të përkeqësohet. Sheshi Eksarhia njihet si qendra e grumbullimit të anarkistëve në kryeqytetin grek. Nga ky shesh filluan protestat masive pas vrasjes nga policia të një adoleshenti në dhjetor të vitit të kaluar.

Serbi
Pritet të shkurtohen 14 mijë vende pune
Serbia do të shkurtojë 14 mijë vende pune në sektorin publik. Shkurtimet pritet të ndodhin brenda çerekut të parë të vitit 2010. Ky hap është rezultat i masave që po merr Beogradi për të përmbushur kushtet e vëna nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
FMN-ja ka kërkuar uljen e defiçitit buxhetor si mënyra e vetme që Serbia të marrë pjesën e dytë të kredisë së ndarë nga ky institucion. Pasojat e këtij vendimi pritet të jenë të rënda dhe vendi të rrezikohet nga numri i madh i të papunëve.

Gjermani
“Duet” televiziv Merkel-Shtajnmajer
Dy figurat kryesore në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Gjermani kanë zhvillura nje debat televiziv. Kancelarja gjermane Angela Merkel, dhe rivali i saj i qendrës së majte më të cilin është në koalicion, Frank Valter Shtajnmajer, kanë zhvilluar një debat në televizion në të cilin komentatorët thonë se asnjëri prej tyre nuk arriti ndonjë fitore deçizive. Një prezantues televiziv e cilësoi debatin më shumë një duet sesa duel. Angela Merkel synon të shmangë pas zgjedhjeve të ardhshme një koalicion tjter me qëndrën e majtë.

Venezuelë
Çavez jep 2 miliardë dollarë për armë ruse
Çavez deklaroi krijimin e një komisioni me Rusinë për energjinë bërthamore. Në kushtet kur po rritet frika për një garë të re armatimi në Amerikën e Jugut, Venezuela thotë se kishte rënë dakort ti jepte Rusisë 2 miliardë dollarë për të blerë tanke dhe raketa kundër ajrore. Presidenti Hugo Çavez tha se marrëveshja e rënë dakort gjatë vizitës së tij në Moskë javën e kaluar. Në marrëveshje përfshihet blerja e 92 tankeve dhe një sistemi të avancuar raketash i aftë të rrëzonte avjonë dhe raketa kruiz.

15 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›