Prishtinë, protestë kundër protokollit EULEX-Serbi
Rreth 600 manifestues u mblodhën dje në mesditë në Prishtinë për të kundërshtuar marrëveshjen e nënshkruar nga EULEX-i dhe Beogradi. Kjo marrëveshje, sipas 23 grupimeve joqeveritare të organizuara dhe të udhëhequra nga lëvizja “Vetëvendosje”, cenon sovranitetin e Kosovës. Pritesta e qytetarëve përfundoi pa incidente, ndërkohë që disa nga parrullat që mbanin qytetarët ishin: “Kosova në BE, jo nën BE”, “Jo EULEX-it”, “Serbisë viza për udhëtim, Hashimit udhërrëfyes për nënshtrim”, “Bac u kry”. Manifestuesit formuan në qendër të Prishtinës një “S”, që do të thotë sovranitet dhe më pas u grumbulluan përpara ndërtesave të qeverisë së Kosovës dhe atyre të Misionit Europian, ku disa oratorë mbajtën disa fjalime. Duke iu drejtuar masës së mbledhur, lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka kritikuar liderët e vendit duke thënë se ata po shikojnë interesin e tyre, e jo të vendit. “Fatmir Sejdiu e Hashim Thaçi, bënin naze para se ta pranonin protokollin; Jakup Krasniqi u bë zëdhënës i EULEX-it; kurse Ramush Haradinaj nuk guxonte të thoshte asnjë fjalë”,- u shpreh Kurti. Në vazhdim, Kurti ka kritikuar punën e lidershipit të Kosovës karshi zhvillimeve të fundit politike. “Kosova është sovrane vetëm jashtë, atje ku ka ambasadat e saj, por jo brenda veriut. Pavarësia e Kosovës është bërë si një qyp, të cilin po e gërryejnë prej të dy anëve. Serbia dhe 6-pikëshi i Ban Ki Munit, po e gërryejnë nga jashtë; kurse, EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës po e gërryejnë nga brenda”,- tha ai. Prania policore ishte shumë e rezervuar, ajo mbikëqyrte vetëm qarkullimin. Visar Imeri nga Lëvizja “Vetëvendosje”, në fjalën e mbajtur tha se nënshkrimi i protokollit për bashkëpunim policor EULEX-Serbi, i jep qasje Beogradit në dokumentet dhe dosjet e Policisë së Kosovës, ndërsa e kundërta nuk vlen edhe për Beogradin. Ai po ashtu ka kritikuar edhe nënshkrimin e protokolleve të tjera që janë paralajmëruar në fushën e dogave dhe të gjyqësisë, duke vlerësuar se në këtë mënyrë Kosovës jo vetëm që i mohohet pavarësia, por edhe i pamundësohet që edhe në të ardhmen ta ushtrojë atë. Organizatorët e demonstratës kanë akuzuar krerët e institucioneve shtetërore të vendit, të cilët sipas tyre, nuk punojnë për Kosovën dhe popullin e saj, por për interesat e veta. Protestuesit mbanin në duar flamurin kombëtar shqiptar, si dhe parulla kundër ndarjes së Kosovës.
15 Shtator 2009