SHBA-Kosovë, nënshkruhen marrëveshjet për ndihmë ekonomike dhe ligjin
SHBA dhe Kosova nënshkruan dy marrëveshje të rëndësishme dje në mesditë në Prishtinë. SHBA-të dhe Republika e Kosovës kanë nënshkruar Marrëveshjen e parë formale për ndihmë ekonomike për Kosovën. Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi nënshkrues të marrëveshjes, e quajtën këtë akt, si përkushtim të mëtejshëm të SHBA-ve ndaj Kosovës, për zhvillimin e saj në të ardhmen. Marrëveshja është nënshkruar edhe nga ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë Kristofer Dell. Krerët më të lartë të institucioneve të Kosovës vlerësuan se marrëveshja për ndihmë ekonomike në mes SHBA-ve dhe Kosovës paraqet edhe një garanci për mbështetjen e Qeverisë amerikane për Kosovën. Presidenti Fatmir Sejdiu e vlerësoi lart aktin e nënshkrimit të marrëveshjes, duke thënë se kjo marrëveshje është e rëndësishme sepse dëshmon edhe njëherë përkushtimin e veçantë të SHBA-së ndaj Kosovës. Edhe kryeministri Hashim Thaçi falënderoi Qeverinë amerikane për ndihmën e vazhdueshme ndaj Kosovës. Ai u zotuar se kjo ndihmë do të shfrytëzohet në mënyrë efektive. Nga ana e tij, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Kristofer Dell shprehu përkushtimin e vendit të tij, për ndihmë Kosovës. Marrëveshja për ndihmë Kosovës do të orientohet në zhvillimin e gjithanshëm të Kosovës, si në fushën e infrastrukturës, në ekonomi, transport, në edukim, etj.
15 Shtator 2009