E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderi, gjobë e burg zyrtarëve

 

Armand Bajrami

Tre zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, të akuzuar për abuzimin me tenderin e blerjes së një makinë për këtë institucion, rrezikojnë dënime me burg dhe gjobë. Ndërsa firma që shiti automjetin, veç gjobës në lekë mund të humbë për dy vjet të drejtën për të marrë pjesë në prokurimet publike. Prokuroria e Tiranës paraqiti dje përpara gjykatës së kryeqytetit konkluzionet përfundimtare të organit të akuzës, për Sami Bricin, Voltan Sherin dhe Leart Qendron, të tre të akuzuar për "falsifikim dokumentesh" si edhe për firmën, person juridik "Brici SHPK". Në konkluzionet e lexuara përpara gjyqtares Fatmira Hajdari, prokurori i çështjes kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin me nga 6 muaj burg dhe 400 mijë lekë gjobë për të pandehurit Brici, Sheri dhe Qëndro. Ndërsa për firmën nën pronësi të Sami Bricit u kërkua gjobitja e saj me 600 mijë lekë gjobë, si edhe heqjen e të drejtës së saj për të marrë pjesë në prokurime publike për një periudhë dy vjeçare. Ditën e djeshme, pasi u lexua diskutimi përfundimtar i prokurorisë, pala e mbrojtjes kërkoi kohë për përgatitjen e konkluzioneve nga ana e tyre. Të pandehurit e djeshëm ishin vetëm një pjesë e zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, të akuzuar për abuzimin me tenderin e blerjes së një makinë. Pak seanca më parë, gjykata kishte pranuar ndarjen dhe veçimin e dosjes për ta.
Ngjarja për të cilën janë dërguar në gjykatë zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë është shënuar më 28 shkurt të vitit 2008. Bëhet e ditur se me anë të dokumenteve të falsifikuara, firma "Brici SHPK" ka arritur të shpallet fituese e tenderit për blerjen e një automjeti që do të përdorej për nevojat e ministrisë. Dokumenti i falsifikuar ka qenë dokumenti që tregonte llogarinë e firmës në një nga bankat e nivelit të dytë, që paraqitej si garanci e firmës në tender. Dokumenti i falsifikuar paraqiste një shifër joreale të parave që firma kishte në bankë, shumë që nevojitej si kriter për të marrë pjesë në tender. Pas hetimeve të prokurorisë, në gjykatë u dërguan mjeku Maksim Bozo, juristi Aleksandër Lipiani dhe ekonomisti Edi Vesho për akuzën "shkelje të barazisë në tenderë"; noterja Majlinda Demollari për akuzën e "shpërdorimit të detyrës". Ndërsa Sami Brici, firma e tij "Brici sh.p.k.", Leart Qendro dhe Voltan Sleni akuzohen për "falsifikim dokumentesh".

Të akuzuarit

Sami Brici  
Firma "Brici sh.p.k."    
Voltan Sleni 
Leart Qendro

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›