Gjeorgjia, prova për post-Ari Hanin
Jetmir Halilaj
Shqipëria do të luajë një ndeshje miqësore më 10 qershor kundër Gjeorgjisë në Tiranë. Lajmin e ka konfirmuar zyra për shtyp e Federatës Shqiptare të Futbollit. Bisedimet mes palëve kishin nisur prej kohësh, por dje Federata gjeorgjiane ka pranuar zyrtarisht ftesën e FSHF-së. Në këtë datë do të jetë sfidë e dyfishtë me gjeorgjianët, pasi një takim miqësor do të luajnë edhe Kombëtaren U-21, i cili gjithashtu do të luhet në Shqipëri. "Akordi është arritur sot (dje) dhe jemi të kënaqur që Federata gjeorgjiane e pranoi kërkesën tonë", ka thënë përgjegjësi i zyrës për shtyp në Federatë, Tritan Kokona.
Përgatitjet
Shqipëria nuk luan prej vitesh një ndeshje miqësore në muajin qershor. Fakti që FSHF po përpiqet që gjatë muajve të ardhshëm të organizojë sa më shumë ndeshje miqësore, konfirmon edhe njëherë se po përpiqet që t'i krijojë kushte optimale trajnerit që do të zëvendësojë holandezin Ari Han në krye të përfaqësueses. Ky i fundit kishte dhënë OK-in që të nisnin bisedimet për një ndeshje miqësore kundër kësaj skuadre, por zor se do të jetë ai që do të drejtojë Shqipërinë në këtë takim. Gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur asnjë kontakt mes Federatës dhe teknikut holandez. "Ari Han është në dijeni të bisedimeve me Gjeorgjinë, sepse projekti i ndeshjeve miqësore është diskutuar me të që para disa muajsh. Megjithatë, gjatë ditës së sotme nuk kemi pasur asnjë kontakt, pasi ne sot (dje vendosëm ta bënim publike marrëveshjen, ndonëse akordi në parim ishte arritur që para disa javësh dhe Ari Han është në dijeni të kësaj", ka sqaruar Kokona.
Precedentët
Gjeorgjia, megjithëse një kombëtare e re (e formuar pas vitit 1991), është një ndër skuadrat që është ndeshur më shumë me Shqipërinë, në eliminatore, gjatë këtyre dy dekadave të fundit. Kombëtarja shqiptare është ndeshur 10 herë me Gjeorgjinë, ku ka fituar 3 takime ka barazuar 1 dhe ka humbur 6 ndeshje. Golavarazhi i përgjithshëm i këtyre ballafaqimeve, është 8-16, në favor të përfaqësueses gjeorgjiane. Ndërsa ekipi shpresa është ndeshur katër herë me skuadrën gjeorgjiane. Tre nga takimet i kanë fituar gjeorgjianët ndërsa një ndeshje, 21-vjeçarët shqiptarë.