Vjen i dënuari me 18 vjet për përdhunim
TIRANE-Vjen me pranga nga Italia në Rinas, i kërkuari për marrëdhënie seksuale me dhunë. Dje është ekstraduar nga Milano 39-vjeçari Kastriot Gremi, nga Fieri, i cili ishte dënuar në mungesë me 18 vjet heqje lirie. Gremi ka arritur t'i fshihet policisë prej gati 15 vitesh, por dy vite më parë ka përfunduar në prangat e oficerëve të Interpolit dhe ka qëndruar në burg deri në vendimin për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Sipas një njoftimi për shtyp nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, mësohet se Gjykata e Fierit e ka dënuar Gremin me 18 vjet burg për kryerjen e veprës penale të "Marrëdhënies seksuale me dhunë të kryer në bashkëpunim", parashikuar nga neni 97/2 i Kodit Penal. Më datë 13 maj të vitit 1992, Kastriot Gremi bashkë me mikun e tij Xhevahir Braka, kanë marrë me dhunë një vajzë 18-vjeçare, me inicialet O.B., të cilën e kanë hipur me forcë në makinë. Më pas në vendin e quajtur "Qafa Koshovicës" në Fier, pasi e kanë rrahur kanë kryer marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së saj. Më pas vajza i ka denoncuar dhe policia ka mundur të arrestoj Brakën, ndërkohë që Gremi ka mundur t'i shpëtojë prangave për 15 vjet rresht, edhe pse është shpallur fajtor nga gjykata dhe është dënuar me 18 vjet burg.