Moda kundër trajnerit, edhe Teli kritik
Admir Teli po kalon një formë të shkëlqyer, por mosaktivizimi ndaj Danimarkës, ishte një surprizë e hidhur për të. Shkodrani që luan te Karabak, ka mbetur i zhgënjyer nga zgjedhjet e Hanit. "Më erdhi keq që s'u aktivizova meqë edhe hapësirat u krijuan në mbrojtje, por trajneri se pa të arsyeshme këtë gjë dhe zgjodhi që të ndrronte rolet e disa lojtarëve dhe të harronte në një farë mënyre repartin e mbrojtjes, çka nuk rezultoi aspak e suksesshme. Megjithatë shpresoj që të më jepet mundësia radhën tjetër që të mund të jap edhe unë kontributin tim", ka thënë Teli për "Panorama Sport". Ai luan si titullar te skuadra azerbajxhanase dhe shpreson që gjatë verës të mund të transferohet në një skuadër të nivelit të lartë. "Këtu punët po më shkojnë mirë si mua ashtu edhe ekipit. Këto dy javët e fundit kemi marrë katër pikë shumë të rëndësishme, ku kemi barazuar me vendin e 3të në fushën e tyre 0-0 dhe ndeshjen e fundit fituam në fushën tonë 4-2. Kjo tregon se edhe në kampionat po tregohemi shumë të forte, megjithëse primare për ne është kalimi në finale të Kupës. Nga bisedimet që kam pasur këto ditë me menaxherin e klubit, më është bërë e qartë se këta janë të gatshëm të më mbajnë në ekip edhe për sezonin tjetër, por kjo varet nga kontrata që kam me Haxhetepen. Dëshira ime është që të shoh për ndonjë ekip prestigjioz, por kam kohë për ta bërë një gjë të tillë dhe nuk dua të çorientohem në fazën finale të sezonit", ka deklaruar Teli.