Mori ryshfet, në gjyq ish-polici rrugor i Tiranës
TIRANE - Prokuroria përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj ish-efektivit të policisë Bujar Meta. Ai akuzohet se ka kryer veprën penale "shpërdorim detyre", pasi i ka bllokuar makinën padrejtësisht një qytetari të cilit i ka marrë ryshfet për kthimin e dokumenteve. Ngjarja për të cilën akuzohet ish-efektivi i policisë Bujar Meta, 44 vjeç, ka ndodhur në tetor 2008. Punonjësi i komisariatit të policisë rrugore në Tiranë, në sektorin e linjave, u denoncua nga qytetari ndërsa Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm arrestoi menjëherë 44-vjeçarin. Hetimet zbuluan më pas se dokumentet e makinës së bllokuar, nuk ishin paraqitur fare në komisariat nga efektivi i policisë, i cili kishte kryer privatisht gjithçka, duke i nxjerrë pengesë qytetarit me qëllim që ai të paguante ryshfet për lirimin e automjetit. Disa ditë pas bllokimit të dokumenteve, punonjësi i policisë akuzohet se e ka thirrur të dëmtuarin, me iniciale K.V dhe i ka kërkuar një shumë financiare në këmbim të kthimit të dokumenteve të mjetit. Pronari i makinës, i cili nuk ka pasur para me vete, ka kërkuar ndihmën e të afërmve që i kanë çuar 5 mijë lekë të reja ndërsa polici rrugor ka kthyer dokumentet e mjetit pasi ka marrë ryshfetin. Bazuar në këto rrethana, SHKB arrestoi efektivin e policisë ndërsa dosja kaloi në Prokurori. Kjo e fundit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë ish-efektivin e policisë me akuzën "shpërdorim detyre".