Kthim në Greqi afganëve të kapur në Tiranë
TIRANE - Shtatë klandestinët afganë që u ndaluan dy ditë më parë në Tiranë do të kthehen në Greqi. Ky është vendimi që ka marrë Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit të Tiranës, pas shkëmbimit të informacionit me autoritetet greke. Sipas policisë, duke qenë se policia e Selanikut e kishte marrë vendimin për deportimin e tyre në Turqi, andej nga ku kishin mbërritur afganët, nuk ishte e nevojshme marrja e një vendimi të tillë edhe nga policia shqiptare. Ndërkohë drejtuesi i kamionit nuk është arritur të ndalohet nga policia për t'u marrë në pyetje, pasi menjëherë sapo kanë zbritur klandestinët nga rimorkio, ku ata kishin hipur pa dijeninë e tij, ai është larguar në drejtim të Italisë, ku e kishte destinacionin. Shtatë klandestinët afganë u zbuluan të mërkurën nga policia e Komisariatit nr.6, duke lëvizur përgjatë Unazës së Re, në drejtim të Urës Teknologjike. Më pas ata u shoqëruan në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe gjatë deklarimeve të tyre, treguan se kishin paguar nga 7 mijë dollarë secili për të kaluar tranzit nga Afganistani, në Pakistan dhe Iran e më pas në Turqi, nga ku kishin mbërritur në shtetin grek. Sapo autoritetet greke po bënin gati deportimin e tyre drejt Turqisë, ata kanë arritur të fshihen në një kamion që do kalonte nga Shqipëria në drejtim të Italisë, por nuk kanë mundur të shkojnë më tej.