E Diel, 1 Nëntor 2026

Dënohet me 25 vjet burg, "ushtari" i Altin Dardhës

Ish anëtari i një prej bandave të Beratit, pretendoi pafajësinë për disa akuza vrasjeje ndaj tij


TIRANË- Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, iu deshën 39 seanca gjyqësore për tu bindur se i pandehuri Gëzim Kasemi është bashkëpunëtor i Altin Dardhës në vrasjen e katërfishtë dhe plagosjen e dy të tjerëve në qendër të Beratit pasditen e 25 shkurtit 1998.


Sipas vendimit të togave të zeza të kryesuar nga gjyqtari Gerd Hoxha, i pandehuri Kasemi u deklarua fajtor për kryerjen e veprave penale të " vrasjes me dashje" në bashkëpunim katër herë dhe "armëmbajtjes pa leje", për të cilat dënohet me 25 vjet burg.


Ndërkaq, ka qenë viti 1999 kur tre gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, Shaqir Hasani, Ahmet Alia dhe Ardian Kola, pasi shqyrtuan dosjen penale të të pandehurit Kasemi e deklaruan këtë të fundit të pafajshëm po për këto akuza që dje u dënua me 25 vjet burg.


Ndërkohë, ky vendim është ankimuar nga prokuroria në Gjykatë të Apelit e cila e riktheu atëherë edhe njëherë për rigjykim, ku më pas në tre shkallët e gjyqësorit i pandehuri Kasemi u deklarua fajtor për vrasjet dhe u dënua me 23 vjet burg.

Por, ekstradimi i tij nga Franca në vitin 2007 bëri që vetë i pandehuri të kërkojë rigjykimin e çështjes, për të cilën vendosi Gjykata e Lartë që i pandehuri Kasemi të gjykohet sërish nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, e cila e shpalli fajtor dje dhe e dënoi përfundimisht me 25 vjet burg.


Po kjo masë dënimi është kërkuar edhe nga prokurori i çështjes gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare. Ndërkohë, mbrojtësi ligjor i të pandehurit kërkoi pafajësi gjatë argumentimit të mbrojtjes, ndërsa vetë i pandehuri Kasemi kërkoi nga Gjykata drejtësi dhe pafajësi.


Sipas vendimit, i pandehuri Gëzim Kasemi ka qenë pjesëtar aktivë i "bandës" së Altin Dardhës, me të cilin ka marrë pjesë në vrasjen e shtetasve Burhan dhe Abdurrahim Tomorri të cilët njiheshin si drejtues të "bandës" së Vakëfit në Berat dhe shokëve të tyre Behar Reskiu dhe Kastriot Bejko. Ndërsa, nga atentati i pasdites së 25 shkurtit 1998 mbetën të plagosur Ramadan Reskiu dhe Vlash Shkurti.


Atentati i vrasjes së vëllezërve Tomori u organizua nga Altin Dardha, i cili bashkë me Altin Isufin, Agron Bilalin dhe Gëzim Kasemin, të hipur në një automjet të tip "Ford" kamionçinë ndaluan para një lokali në qendër të Beratit ku ishin ulur në një tavolinë viktimat, duke qëlluar me mitraloz në drejtim të tyre.


Për pasojë mbetën të vrarë Burhan dhe Abdurrahim Tomorri, Behar Reskiu dhe Kastriot Bejko, ndërsa mbetën të plagosur Ramadan Reskiu dhe Vlash Shkurti. Ndërkohë, gjatë largimit në drejtim të Skraparit, Dardha ka qëlluar pa shkak mbi shtetasin Sali Kumani, në lagjen "Uznovë", duke e lënë të vdekur.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›