E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoferi i shërbimit funeral kapet me kokainë

Alban Uba, 32 vjeç, u ndalua pranë shkollës së kuqe nga oficerët e Antidrogës


TIRANË- Shoferi i një agjencie funeralesh në kryeqytet është arrestuar nga strukturat e antidrogës në Policinë e Tiranës, me akuzën e prodhimit dhe shitjeve të lëndëve narkotike. Alban Uba, 32 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, është arrestuar pas një kontrolli fizik të ushtruar ndaj tij, ku iu është gjetur një sasi prej 150 gr lëndë, e dyshuar si narkotike e llojit kokainë, e cila iu sekuestrua nën cilësinë e provës materiale.


Burimet zyrtare nga Policia e kryeqytetit pohuan dje për "Shekullin", se arrestimi i 32- vjeçarit nga Tirana, u krye rreth orës 14. 00 të së hënës, në rrugën "Qemal Stafa". Përveç sasisë së lëndës që dyshohet të jetë kokainë, uniformat blu të kryeqytetit, i sekuestruan të arrestuarit edhe shumën prej 3100 lekësh të reja si dhe një telefon celular bashkë me dy karta telefoni të dy kompanive të ndryshme.


Arrestimi i këtij të fundit nga specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Narkotikëve është bërë pas dyshimeve të uniformave blu për aktivitetin e 32- vjeçarit. Uba, sipas Policisë, lëndën që dyshohet se është narkotike e kishte mbështjellë në një pako dhe e kishte fshehur në trup, por kontrolli i ushtruar ndaj tij ka bërë që të zbulohet pakoja e vogël që ka patur brenda sasinë prej 72 gramë kokainë.


Alban Uba, ishte i punësuar si shofer në një agjenci funerali në Tiranë, por prej dy ditësh ishte larguar nga kjo punë. Sipas policisë, i arrestuari kryente rolin e transportuesit të lëndës që dyshohet së është drogë.


Specialistë e Seksionit Kundër Narkotike pas arrestimit kanë marrë në pyetje 32 vjeçarin Uba, i cili është pyetur për destinacionin e pakos që mbante me vete në momentet që është kapur nga policia. Prokuroria e kryeqytetit do të vazhdojë më tej hetimet, ndërsa Alban Uba, akuzohet për "prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›