E Shtunë, 31 Tetor 2026

I sëmuri mendor, në burg për vrasje

Prekë Gjelaj, prej pesë vitesh qëndron i izoluar në burg edhe pse ndaj tij nuk ka një vendim dënimi


TIRANË- Një person i akuzuar për vrasje, nga Shkodra dyshohet se është mbajtur padrejtësisht pesë vite në Burgun e Shënkollit në Lezhë, ndërsa ndaj tij drejtësia nuk ka dhënë asnjë vendim dënimi, ndërsa për ekspertët mjeko- ligjorë ai është i sëmurë mendor.


Prekë Gjelaj, 29 vjeç, që prej Gushtit të vitit 2004, kur është arrestuar nga Policia e Shkodrës me akuzën e vrasjes me dashje, është mbajtur në burg dhe vazhdon të mbahet akoma, edhe pse ekspertiza psikiatriko- ligjore e ka nxjerrë me shëndet mendor të rënduar. Kjo është konstatuar nga ekspertët e institucionit të Avokatit të Popullit gjatë një inspektimi të kryer në Burgun e Shën Kollit në Lezhë.


Nga të dhënat në dosjen e tij penale rezulton, se Gjykata e qytetit verior me vendimin nr. 234 datë 28 gusht 2003, ka dhënë ndaj Prekë Gjelajt masën e sigurisë "arrest me burg" dhe ekzekutimi i këtij vendimi është bërë pas një viti, kur ky i fundit është arrestuar. Por ky i fundit nuk është gjykuar për veprën për të cilën akuzohet dhe nuk është dërguar në Spitalin e Burgut apo në një qendër tjetër të specializuar për mjekim të detyruar, për shkak të zvarritjes së procedurave për transferimin e tij.


"Gjate kohës së qëndrimit në burg, Gjykata e Shkallës së Pare në Shkodër ka shtyrë caktimin e dënimit dhe ka urdhëruar me vendim të ndërmjetëm kryerjen e ekspertizës mjeko- ligjore në lidhje me personin në fjalë. Gjatë kohës së qëndrimit dhe ekzaminimit në Spitalin e Burgut nga dt. 20.09.2006 deri në dt 07.10.2006 ky person është diagnostikuar për çrregullime të rënda të shëndetit mendor.


Gjatë shtrimeve në spital pacienti, sipas specialistëve mjekë psikiater Dr. Fatbardha Myslimaj dhe Dr. Latif Fjolla, paraqitet me frenim psiko-motor, anozognozi dhe pershkruhet se nuk jeton fare situatën në të cilën ndodhet. Edhe pas këtyre diagnostikimeve konstatojmë që ky pacient është dërguar përsëri në dhomën e tij të veçimit në Burgun e Shënkollit në Lezhe.


Në kontaktin e parë me këtë dhome ekspertet tanë referojnë se mbeten të befasuar nga rrethanat degraduese të ambientit dhe gjendjes së të paraburgosurit".- thuhet në raportin e Avokatit të Popullit për trajtimin e të paraburgosurit Prekë Gjelaj.


Por edhe pse Gjykata e Shkodrës nëpërmjet një vendimi të ndërmjetëm në prill të vitit 2008 ka vendosur që ndaj të paraburgosurit Prekë Gjelaj të kryhet një riekspertim psikiatriko - ligjor dhe shtrimin e tij në Spitalin e Burgut, ky i fundit nuk është dërguar në qendrën spitalore, por është mbajtur në qeli në kundërshtim me vendimin e Gjykatës.


Mori peng pas sherrit për femra, prangoset


TIRANË- Arrestohet nga Sektori i Operacioneve Speciale të policisë së kryeqytetit, një 21- vjeçar i cili ishte shpallur në kërkim, si i dyshuar si autor i pengmarrjes se një personi.


Endri Ago, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, i cili ka qenë i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje, është arrestuar për ngjarjen e datës 4 qershor 2009, ku është marrë peng Orland Tanushi, nga i arrestuari i cili e ka realizuar "kufizimin e lirisë" në bashkëpunim me një person tjetër.


Sipas burimeve të Policisë së Tiranës, në këtë datë, 21- vjeçari Ago, në bashkëpunim me një person tjetër me emrin Maksim Islami, kanë marrë peng dhe kanë kërcënuar Orland Tanushin.


Lidhur me këtë ngjarje, strukturat e policisë së kryeqytetit kishin shpallur në kërkim Endrin Agon, i cili akuzohet për veprat penale të "heqjes së paligjshme të lirisë", "dëmtimeve të tjera me dashje" dhe "kanosjes" kryer në bashkëpunim. Lidhur me ngjarjen e datës 4 qershor të këtij viti, ku 21- vjeçari Ago është i dyshuar si autor i ngjarjes, Prokuroria e kryeqytetit do të vazhdojë me tej hetimet.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›