E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohet me gjobë zv/kryeministri Pollo

Gjykata e Tiranës ka dënuar me gjobë zv/kryeministrin Genc Pollo me 300 mijë lekë për shpifje ndaj sipërmarrësit dhe botuesit Arjan Çukaj. Vendimi u mor pas padisë civile të paraqitur nga të dyja palët, si pasojë e një konference për shtyp në tetor të vitit 2007. Ministri i atëhershëm i Arsimit, Genc Pollo, kishte akuzuar sipërmarrësin se po kërkonte licencë universiteti nëpërmjet shkrimeve shantazhuese në një të përditshme ku Çukaj është aksioner. Por gjykata vendosi se të gjitha këto ishin të pavërteta, dhe se ministri kishte reaguar duke përdorur fjalë të ulëta dhe shpifje përkundrejt sipërmarrësit. Ministri kishte deklaruar se universiteti që ka bazën në Qipro dhe është i akredituar në rrjetin e Uellsit, ishte shkollë e mesme, pavarësisht se jepte diploma Bachelor dhe master, të njohura në Bashkimin Evropian.
Në të njëjtën kohë, Arjan Çukaj u dënua me 100000 lekë gjobë nga gjykata për përmbajtjen e reagimit të tij ndaj shpifjeve të ministrit, tre ditë pas konferencës për shtyp. Me anë të këtij vendimi, jo vetëm që deklaratat e ministrit Pollo u cilësuan shpifje, por edhe substanca e tyre doli në pah se ishte një mashtrim publik. Shkrimet e vazhdueshme për gjendjen arsimore kishin nisur të botoheshin prej dy vitesh, shumë më herët nga ajo kohë që ministri e cilësoi konflikt interesi. Këto shkrime ishin akuza publike ndaj ish-ministrit të Arsimit dhe arritën të publikojnë me anë të investigimeve lidhjet korruptive në fusha si ALTERTEKSTI dhe licencat e shkollave private, si edhe nepotizmin në emërimet dikasteriale të ministrisë. Tashmë këto shkrime, që ish-ministri i Arsimit ia faturoi dashakeqësisë individuale, marrin një rëndësi të re, pasi vetë gjykata ka pranuar vërtetësinë e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›