E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti: Qeveria, vjedhje dhe diskriminim bizneseve

Diskriminim, mashtrim me dokumentet, mungesë transparence, abuzim me fondin e buxhetit të shtetit dhe staf të pakualifikuar për kryerjen e tenderëve. Anët më negative të administratës shtetërore në lidhje me procedurat e prokurimit publik janë hedhur në Raportin Vjetor 2008, të përgatitur nga Avokati i Prokurimeve, strukturë në mbrojtje të biznesit, krijuar në nëntor 2007 dhe drejtuar nga Edi Spaho. Raporti ka mbërritur dje në Kuvendin e Shqipërisë, për t‘u diskutuar me komisionet e posaçme parlamentare, në mënyrë që t‘u jepet zgjidhje disa çështjeve. Ashtu si një vit më parë, AvP-ja ka ngritur një sërë problematikash që shqetësojnë sektorin e prokurimit publik në vend, nga ku kalon pjesa dërrmuese e buxhetit të shtetit. Duket se vlerësimet e qeverisë për uljen e korrupsionit gjatë vitit 2008 bien poshtë po të mësosh të vërtetën që ndodh mes administratës shtetërore dhe biznesit. Numri i ankesave të biznesit ndaj rasteve abuzive dhe shkeljes së ligjit arriti në 354, ndërsa me iniciativën e Avokatit të Prokurimit ka nisur në 53 raste hetimi ndaj disa tenderëve me shkelje flagrante. Në fund të raportit, AvP-ja paraqet disa rekomandime për institucionet shtetërore, ku më së shumti vëmendja fokusohet te procedurat konkurruese.

Problemet kryesore

Problematikat më shqetësuese janë konstatuar në caktimin e personelit të pakualifikuar në komisionet e vlerësimit të ofertave dhe njësitë e hartimit të dokumenteve të tenderit, që në shumë raste kanë abuzuar me ligjin. Parregullsi ka pasur në shqyrtimin e ofertave dhe marrjen e vendimeve të gabuara për shpalljen e fituesve. Shkelje janë konstatuar edhe tek afatet e ankimimit, duke privuar bizneset nga e drejta që u jep ligji. Avokati i Prokurimeve ngre shqetësimin mbi mënyrën sesi një pjesë e administratës shtetërore trajton biznesin në procedurat që ndiqen për tenderë të ndryshëm. Shkeljet më të mëdha konstatohen te fondet e vendosura nga autoritetet kontraktore (institucionet qendrore dhe vendore), si për nivelin limit, ofertën e paraqitur nga biznesi, ashtu edhe për shpalljen e fituesit, i cili nuk plotëson kushtet minimale për një vepër të caktuar publike. "Nga disa ankesa të ardhura nga biznesi konstatohet se disa institucione kanë zhvilluar tenderin pa pasur fondin në dispozicion apo pa përcaktuar saktë fondin limit", thuhet në raportin e AvP-së për vitin 2008. Të tilla shkelje vërehen te degët e OSSH-së nëpër rrethe, hekurudha, ujësjellës etj.

Diskriminimi

Një kapitull të veçantë me shkeljet që shteti bën në kurriz të biznesit, AvP-ja ia ka kushtuar rasteve të diskriminimit me procedurat e tenderit. "Shkeljet më të theksuara kanë qenë rastet kur kërkohet një numër i ekzagjeruar punonjësish, kërkesa për kapacitete financiare jo në përpjesëtim me vleftën e kontratës, si dhe me kriterin "eksperienca të mëparshme", duke mos respektuar kufijtë e përcaktuar në dokumentin standard", nënvizon Avokati i Prokurimeve. Edhe në këto shkelje, degët e OSSH nëpër rrethe renditen të parat, përfshi më pas ministritë e Mbrojtjes dhe Arsimit, disa qarqe dhe Drejtorinë e Burgjeve. Mangësi të theksuara janë vërejtur veçanërisht gjatë hapjes, shqyrtimit dhe vlerësimit të ofertave nga institucionet shtetërore. "Problemi më shqetësues i zhvillimit të procedurës me mangësi dhe që dëmton konkurrencën e ndershme në tenderë është kualifikimi dhe shpallja fitues i atyre bizneseve që nuk plotësojnë kriteret kualifikuese", thekson AvP-ja, duke shtuar se për këtë, çështja në jo pak raste nuk ka marrë mbështetje nga Agjencia e Prokurimit Publik. Sipas Avokatit të Prokurimit, "këto veprime të jashtëligjshme cenojnë parimet e përzgjedhjes me qëllim favorizimin në mënyrë abuzive të ofertuesve të preferuar, duke diskriminuar konkurrentët e tjerë seriozë në procedurat e prokurimit".

Ku abuzohet më tepër

Autoritetet kontraktore zhvillojnë procedura prokurimi në kundërshtim me kriteret ligjore të përcaktimit të fondit limit, apo kur fondet nuk i kanë në dispozicion
Institucionet shtetërore nuk zbatojnë kriteret ligjore për hartimin e dokumenteve të tenderit dhe zhvillimin e procedurave në afatin e caktuar
Institucionet zhvillojnë ende me mangësi, sepse nuk mbahen procesverbalet në përputhje me kërkesat e përcaktuara në rregullat e prokurimit publik
Gjatë shqyrtimit të ofertave, autoritetet kontraktore kualifikojnë dhe favorizojnë ato biznese që nuk përmbushin kriteret kualifikuese
Gjatë zhvillimit të tenderit nuk trajtohen kriteret ligjore për ofertat anomalisht të ulëta
Institucionet shtetërore zvarrisin pa arsye marrjen e vendimeve përtej ofertave ligjore të përcaktuara për shqyrtimin dhe vlerësimin e ofertave
Në plot raste shpallet fituesi, kur njëkohësisht procesi është në fazë shqyrtimi të ankesës
Lidhen kontrata në një kohë kur AvP-ja është duke kryer hetim administrativ
Anulohet qëllimisht tenderi, për të vijuar në mënyrë abuzive me kontratat e mëparshme


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›