E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurrenca, 8 vendime përfundojnë në gjykatë

Një pjesë e mirë e vendimeve të Autoritetit të Konkurrencës përfundojnë në gjykatë, pasi biznesi privat nuk i pranon. Pavarësisht kësaj, deri tani, që nga krijimi i Autoritetit, vendimet e gjykatave në të gjitha shkallët i kanë dhënë të drejtë Komisionit të Konkurrencës, i cili në çdo vit ka punuar për të përmirësuar kuadrin ligjor. Në raportin vjetor të vitit 2008, thuhet se gjatë këtij viti janë trajtuar nga gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë disa çështje delikate. Janë rreth 8 vendime të Komisionit të Konkurrencës, të cilat konsistonin në "treg të kufizuar" dhe shkelje të ligjit "Për konkurrencën". Sektori bankar, ai i sigurimeve, ndërtimi, prodhimi, si dhe telefonia janë sektorët ku janë vërejtur raste të shkeljes së konkurrencës së lirë. Vendimet e Autoritetit, të cilat propozojnë dhe masa me gjoba të konsiderueshme, janë kundërshtuar nga bizneset, duke i ankimuar në gjykatë. E pranishme në aktivitetin e zhvilluar dje në kuadër të përvjetorit (5 vjet) të krijimit të Autoritetit të Konkurrencës, kryetarja Lindita Milo, evidentoi rëndësinë që duhet të ketë bashkëpunimi tepër i ngushtë me sipërmarrjen private.

Në konferencën "Konkurrenca në ekonomitë e vogla dhe informale", zhvilluar dje, morën pjesë zyrtarë nga vende të ndryshme të rajonit, që përfaqësonin institucionet përkatëse të Konkurrencës, si dhe ekspertë të fushës. I pranishëm ishte edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, i cili përgëzoi Autoritetin për punën e bërë si dhe theksoi rolin që luan ai në vijimin e një ekonomie sa më konkurrente.

Në fjalën e saj, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lati, tha se "konfirmimi nga ana e gjyqësorit e vendimeve më të rëndësishme të Komisionit të Konkurrencës tregon se zbatimi i ligjit të konkurrencës nuk mund të realizohet me efektivitetin e duhur nëse nuk merret në konsideratë nga të gjithë aktorët institucionalë të tregut". Autoriteti i Konkurrencës e ka marrë vendimin e parë më 3 mars 2004, duke shënuar fillimin e funksionimit. "Tregu nuk është ‘xhungël‘, por ka rregulla, dhe një nga institucionet kryesore që mbikëqyr respektimin e këtyre rregullave është Autoriteti i Konkurrencës", tha Lati.

Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, tha se "ndërhyrjet kanë sjellë hapjen e tregut si dhe gjallërimin e konkurrencës dhe një përdorim më efiçent të parave të taksapaguesve dhe nga ana tjetër Autoriteti i Konkurrencës përmes mekanizmave po ndikon gjithnjë e më shumë në ekzistencën e tregjeve, produkteve dhe shërbimeve në vend në dobi të konsumatorëve shqiptarë". Sipas tij, "tregu shqiptar është veçanërisht i vogël dhe përqendrimet e aktiviteteve tregtare në duar të pak lojtarëve ndodhin mjaft lehtë, por kanë një ndikim mjaft të madh të konsumatorit final apo qytetarët e këtij vendi, të cilët ashtu si edhe qytetarët evropianë, kanë të drejtë për produkte në një treg konkurrent".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›