Sekserja e Shullazit, dëshmitarë një prokuror dhe një polic
Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e të akuzuarës për mashtrime në shuma të mëdha, Albana Laze, që ish-drejtuesi i Krimeve të Rënda, Adnan Kosova, të dëshmojë në gjykatë kundrejt pretendimeve të vajzës se për të liruar Emiljano Shullazin nga burgu kanë dijeni funksionarë të prokurorisë. Ndërkohë, gjykata nuk u shpreh me një vendim të prerë lidhur me kërkesën tjetër të Lazes, që në proces të dëshmonin dhe dy funksionarë të tjerë të lartë, Tonin Vocaj dhe Arben Frashëri, duke vendosur që të dëgjojë dëshminë e tyre menjëherë pas asaj të Adnan Kosovës. Albana Laze, e akuzuar për mashtrime në shuma të mëdha, pretendon se në rastet e premtimeve për lirimin e të burgosurve nga burgu kishte garancinë e prokurorëve, duke përdorur në këtë rast emrin e Adnan Kosovës, ish-drejtues i Krimeve të Rënda dhe tashmë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Laze pretendon se dëshmia e tyre e shpëton atë nga akuza. Laze u mori rreth 150 mijë euro Emiljano Shullazit dhe Ergys Ferhatit, duke u premtuar lirinë. Dy të burgosurit ishin arrestuar në kuadër të operacionit "Identikit", të akuzuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Arrestimi i saj u krye në flagrancë në zyrat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, së bashku me bashkëshortin e saj, i cili më pas u la i lirë për shkak të mungesës së provave që e implikonin në mashtrim.