E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohet protestuesi i 21 janarit

Gjykata e Tiranës deklaroi fajtor dhe dënoi me burg një nga protestuesit e demonstratës së dhunshme të 21 janarit 2011 para godinës së Kryeministrisë. Jetmir Prenga u dënua pak ditë më parë me 10 muaj burgim për akuzën e kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik.Për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfitoi uljen e një të tretës së masës së dënimit. Përfundimisht ai u dënua me 6 muaj e 20 ditë burgim. Në të njëjtin vendim, ku 22-vjeçari Prenga u deklarua i fajshëm dhe u dënua me burg, gjykata urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm. Kjo për shkak se koha e dënimit është konsumuar gjatë paraburgimit.
Jetmir Prenga u arrestua më 24 janar të këtij viti. Hetimet e zhvilluara pas ngjarjeve të rënda të 21 janarit e identifikuan atë si një nga personat që u përfshi në konfrontim fizik me punonjësit e policisë gjatë demonstratës. Më pas, më 27 janar, Gjykata e Tiranës caktoi ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg. Dosja penale në ngarkim të tij u depozitua për gjykim në Gjykatën e kryeqytetit në ditët e para të muajit maj.
VENDIMI
Vendimi që caktoi burg ndaj Jetmir Prengës u shpall pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës nga gjyqtarja Ardiana Bera. Kanë mjaftuar vetëm dy seanca që gjykata të dilte me verdiktin përfundimtar ndaj protestuesit të dhunshëm të 21 janarit. Gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Jetmir Gjovalin Prenga, për veprën penale të kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik dhe dënimin e të pandehurit me 10 muaj burgim. Në aplikim të nenit 406 të K. Pr. Penale, i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht, i pandehuri Jetmir Prenga dënohet me 6 (gjashtë) muaj e 20 (njëzet) ditë burgim, thuhej në dispozitivin e vendimit. Në të njëjtin vendim, gjykata vendoste shuarjen e masës së sigurisë arrest me burg ndaj Prengës dhe lirimin e tij. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm Jetmir Prengës nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet i arrestuar, i ndaluar apo i dënuar për ndonjë vepër penale tjetër, thuhej në vendim. Në seancën e paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, prokuroria kërkoi dënimin e Prengës me 9 muaj burg. Ndërsa vetë i pandehuri shprehu pendesë për veprimin e kryer dhe i kërkoi gjykatës të tregohej e mëshirshme në vendim. Për shkak se koha e paraburgimit llogaritet sa një ditë e gjysmë burg, i riu është urdhëruar të lirohet dje nga qelitë ku mbahet që nga janari i këtij viti.

Jetmir Prenga qëlloi policët e shkatërroi pronën

TIRANE – Demonstruesi i 21 janarit, i shpallur fajtor dhe i dënuar nga Gjykata e Tiranës, u arrestua nga Policia e Shtetit një ditë pas ngjarjeve të dhunshme pranë Kryeministrisë në Tiranë. Tri ditë më pas ai u la i lirë nga Gjykata e Tiranës, por vetëm pak çaste pas lirimit nga paraburgimi 302 në Tiranë, Jetmir Prenga ra sërish në pranga pasi, sipas policisë, kundërshtoi forcat e rendit gjatë kryerjes së detyrës. Arrestimi i Jetmir Prengës u krye në rrugën Muhamet Gjollesha rreth orës 20:30″, deklaroi atëherë policia. Sipas saj, arrestimi i Jetmir Prengës është kryer pasi kishte kryer veprën penale armëmbajtje pa leje dhe veprimeve të dhunshme ndaj efektivëve të policisë gjatë demonstratës së 21 janarit. Jetmir Prenga u akuzua si njëri ndër personat që kundërshtoi e qëlloi me dhunë forcat e policisë që ishin vendosur pranë Kryeministrisë dhe Piramidës në Tiranë.

Akuza: 25 protestues në gjyq individualisht

Prokuroria e Tiranës ka vazhduar me dërgimin në gjykatë të protestuesve të akuzuar për kundërshtim e dhunë ndaj policisë më 21 janar. Rasti më i fundit është ai i shtetasit Feta Mataj, 29 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Durrës. Më 6 qershor 2011, Prokuroria e Tiranës ka mbyllur dosjen penale ndaj tij dhe e ka dërguar në gjykatë me akuzën për kundërshtim ndaj punonjësit të Policisë së rendit publik. Edhe gjashtë protestues të tjerë janë dërguar në gjyq deri tani nga prokuroria me akuzën e kundërshtimit të policisë pranë Kryeministrisë, por edhe pjesëmarrje në aktet e dhunshme të shkatërrimit të automjeteve me zjarr pranë Piramidës në Tiranë. Prokuroria i ka akuzuar veç e veç protestuesit, ndonëse ata kanë marrë pjesë në të njëjtën ngjarje. Hapja dhe hetimi i dosjeve individuale për secilin nga protestuesit është bërë për faktin se ata kanë qenë nga rrethe të ndryshme dhe pasi prokuroria nuk ka gjetur elemente bashkëpunimi në veprimet e tyre. Ndërkohë, nëse do të akuzoheshin të gjithë së bashku për krimin e kundërshtimit të policisë dhe shkatërrimit të pronës në bashkëpunim, atëherë grupi i protestuesve mund të konsiderohej si një organizim për grusht shteti kundër rendit kushtetues. Pikërisht kritere të tilla nuk janë përmbushur në klasifikimin ligjor të dosjeve të protestuesve që janë çuar veç e veç në Gjykatë.

Armand Bajrami

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›