Vodhi 50 milionë lekë, arrestohet kontabilistja e Gjykatës Kavajë

Mimoza Lugjaj
TIRANE Arrestohet në Itali kontabilistja që akuzohet për vjedhjen e 50 milionë lekëve në Gjykatën e Kavajës. Policia italiane dhe Interpoli arrestuan dy ditë më parë në Itali ish-shefen e kontabilitetit të Gjykatës së Kavajës, e cila ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 9 vitesh, pasi kishte kryer një vjedhje duke shpërdoruar detyrën. Policia e Shtetit njoftoi dje zyrtarisht për arrestimin e 47-vjeçares Mimoza Lugjaj, e akuzuar për vjedhjen e rreth 50 milionë lekëve (të vjetër) në zyrën ekzekutive të Gjykatës së Kavajës, gjatë kohës kur ajo ishte shefe e kontabilitetit. Pothuajse të gjitha mediat italiane kanë sqaruar akuzat për Mimoza Lugjajn, prezenca e së cilës në provincën e Alesandrisë ishte mësuar që prej muajit prill, derisa Interpoli urdhëroi ndërhyrjen dhe arrestimin e saj në shtëpinë ku ajo jetonte prej disa vitesh. Burime zyrtare nga Policia thanë se 47-vjeçarja nga Peshkopia dhe banuese në Durrës, është dënuar në mungesë më 8 shkurt të vitit 2005 nga Gjykata e Kavajës me 5 vjet burg, me akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe falsifikimit të dokumenteve. Sipas vendimit të gjykatës, Mimoza Lugjaj akuzohet se më 2 dhjetor të vitit 2002, në kohën kur ishte shefe e kontabilitetit të Gjykatës së Kavajës, kishte arritur të vidhte një shumë prej rreth 50 milionë lekësh nga zyra e ekzekutivit të këtij institucioni dhe më pas ishte larguar në drejtim të Italisë. Mediat italiane, që i referohen policisë lokale, shkruajnë se Lugjaj prej disa vitesh ishte banore e qytezës së vogël të Alesandrisë. Agjentët e Policisë italiane kishin rënë në gjurmët e saj që prej muajit prill, por arrestimi u krye vetëm dy ditë më parë, pas një operacioni të iniciuar edhe nga oficerët e Interpolit. Pas arrestimit, e kërkuara është transportuar drejt burgut të Varçelit, ku do të qëndrojë në pritje të ekstradimit të saj drejt Shqipërisë. Policia e Shtetit u njoftua për arrestimin e saj nga autoritetet italiane dhe menjëherë mësohet se kanë nisur procedurat për plotësimin e dosjes së ekstradimit. Ndërsa sipas Policisë italiane, mësohet se Lugjaj nuk ka kundërshtuar arrestimin, madje nuk është përpjekur që të ndryshojë identitet në momentet e para të përballjes me policinë.