Përmet, kishë në Pallatin e Kulturës, kryebashkiaku bën padi në Prokurori

Pallati i Kulturës në Përmet
PERMET – Kreu në ikje i Bashkisë së Përmetit, Edmond Komino, ka kallëzuar në Prokurorinë e Rrethit përfaqësues të Kishës Ortodokse në Përmet, për shkatërrim të Pallatit të Kulturës. Gjithçka ka ndodhur gjatë dy ditëve të fundit, kur kryebashkiaku në ikje ka dorëzuar në Prokurorinë e Rrethit kallëzimin penal ndaj Kishës së rrethit, për shkatërrimin dhe ndërrimin e destinacionit të kësaj godine nga Pallat Kulture, në një objekt fetar. Përfaqësuesit e Kishës së Përmetit shprehen të sigurt për pronësinë mbi të, ndërkohë që të gjitha shkallët e gjyqësorit kanë rrëzuar pretendimet e saj. Godina e Pallatit të Kulturës Naim Frashëri, është shkatërruar plotësisht, duke lënë vetëm muret rrethuese, ndërkohë që në brendësi të saj janë hapur themelet e ndërtimit të një kishe. Organit të akuzës së Përmetit i janë paraqitur prova shkresore dhe pamje të objektit në ndërtim e sipër. Disa ditë më parë, Edmond Komino kishte dërguar Policinë Bashkiake në vendngjarje, por ajo nuk është lejuar të vizitojë nga brenda punimet, çka ka sjellë reagimin e menjëhershëm të kryebashkiakut në ikje për kallëzim penal.

Edmond Komino
Punimet vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, ndërkohë që kjo çështje i është kaluar Prokurorisë së Përmetit. Brenda mureve rrethues të ish-Pallatit të Kulturës shihen njerëz që punojnë për ndërtimin e mureve të jashtme të kishës, ndërkohë që është ende e pakonfirmuar që firma e ndërtimit që kishte marrë përsipër ndërtimin e saj dhe shkatërrimin e mureve rrethuese të Pallatit të Kulturës, ka pezulluar veprimtarinë në këtë objekt. Prej 14 vjetësh, mes Kishës Ortodokse dhe Bashkisë së Përmetit ekziston konflikti për pronësinë e Kishës. Të dyja palët pretendojnë pronësinë, por askush nuk i ka dalë zot. Janë zhvilluar gjyqe pafund dhe palët ende nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët. Pallati i Kulturës u ndërtua 50 vjet më parë, Gjykata Kushtetuese, në vitin 2002, ka vendosur në favor të pushtetit vendor administrimin e këtij objekti, por prej 14 vitesh ky objekt mbahet forcërisht nga Kisha Ortodokse. Është një rast unikal, që vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të formës së prerë, nuk zbatohen nga Zyra e Përmbarimit, pohon ish-drejtori i Pallatit të Kulturës në Përmet Kastriot Bezati, i cili shton se Kisha Ortodokse kërkon të vrasë identitetin dhe kulturën kombëtare, duke tentuar të instalojë në Përmet helenizimin. Ndërsa At Ikonon Qerimi, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Shën Mëri në Përmet, thotë se ish-Pallati i Kulturës funksionin si objekt fetar prej 12 vjetësh, falë një vendimi të Gjykatës së Përmetit. Sipas kryebashkiakut Komino, punimet që po kryen aktualisht në brendësi të Pallatit të Kulturës nga Kisha po dëmtojnë objektin. Ai thotë se Bashkia, së bashku me Zyrën e Përmbarimit, ka tentuar 15 herë të ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por fatkeqësisht janë penguar nga përfaqësuesit e Kishës. p.n