Kutitë, çështja kërkon 2 muaj
Kreu i institucionit që interpreton ligjin themeltar të shtetit shqiptar, ka deklaruar dje se nëse çështja e debatueshme e kutive të votimit do të apelohet në këtë institucion, do të duhen të paktën 2 muaj për shqyrtimin e saj. Kreu i Kushtetueses, Vladimir Kristo, deklaroi dje se nëse ka vullnet politik, çështja e kutive merr zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese për 2 muaj.
“çdo çështje kërkon kohën e vet dhe koha nuk mund të përcaktohet. Në Gjykatë Kushtetuese ka vetëm një detyrim nga pikëpamja juridike, çdo çështje që vjen, ta vërë në lëvizje brenda 2 muajve” tha Kristo. Propozimi për diskutimin nga Gjykata Kushtetuese e çështjes së hapjes së kutive, ka ardhur në fund të shkurtit nga presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Mevlud Cavushoglu, gjatë takimit me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, ku kanë qenë prezentë edhe Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama.
#