E Diel, 1 Nëntor 2026

Dënohet tmerri i emigrantëve klandestinë

Gjykata e Sarandës, 10.5 vjet burg për njeriun që grabiste në kufirin shqiptaro-grek

Nëntë muaj pas grabitjes me armë të 11 klandestinëve shqiptarë që tentonin të kalonin ilegalisht kufirin grek, njëri prej autorëve merr dënimin nga Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Sarandë. Ndërkohë që tre autorët e tjerë të grabitjes kanë mbetur ende të paidentifikuar nga policia.

Ditën e djeshme ka qenë seanca e fundit gjyqësore, e zhvilluar në ngarkim të të pandehurit 23-vjeçar Armando Shabani. Ai është dënuar me 10.5 vjet heqje lirie, gati nga një vit dënim për secilin prej personave të grabitur prej tij nën kërcënimin e automatikut. Ky ka qenë vendimi që ka dhënë për të trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Alltun çela.

Burime nga Gjykata e Sarandës thanë se vendimi i djeshëm ka ardhur pas një maratone seancash gjyqësore që kanë zgjatur për nëntë muaj. Kjo, pasi është dashur të pyetet një rreth i gjerë personash nga qyteti i Konispolit dhe nga fshati Vrinë, që kishin dijeni për autorin e për bashkëpunëtorët e tij, si dhe për rrethanat e ngjarjes.

Mësohet se pjesë e rëndësishme e dëshmive të dhëna për ngjarjen kanë qenë edhe ato të 11 klandestinëve që ranë pre e grabitjes së organizuar nga 23-vjeçari Armando Shabani. Ata kanë treguar detaje nga ngjarja e ndodhur më 7 tetor 2009 në afërsi të fshatit Shëndëlli, 1 km larg Butrintit.

Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se vjedhja e klandestinëve është realizuar nën kërcënimin e armës automatike model 56. Sikurse kanë dëshmuar klandestinët: “Njëri prej katër grabitësve mbante në dorë një automatik kallashnikov, ndërsa tre të tjerë na plaçkitën 3 mijë eurot që kishim me vete dhe celularët”.

Sipas dëshmive të tyre, provohet që klandestinët janë grabitur në atë segment rruge, jo vetëm nga Armando Shabani, por edhe nga tre bashkëpunëtorë të tij, të cilët çuditërisht kanë mbetur ende pa identitet të përcaktuar.

Duke iu referuar kronikës së ngjarjes së ndodhur më datën 7 tetor të vitit të kaluar, në aksin rrugor Xarrë - Shkallë – Qafë-Botë një grup klandestinësh prej 11 personash, kryesisht nga zonat e Shqipërisë së Mesme, kanë rënë pre e grabitjes së katër vetave, njëri prej të cilëve i armatosur me një automatik model 56. Klandestinët fillimisht kanë hezituar të jepnin lekët, por grabitësit nën kërcënimin e armës kanë mundur t'u marrin paratë dhe objekte të tjera me vlerë. Sipas burimeve, shuma e parave që ata kanë grabitur ka qenë rreth 3 mijë euro, si dhe një shumë e konsiderueshme lekësh.

Grabitësit janë larguar menjëherë pas marrjes së parave, ndërsa klandestinët janë detyruar të kthehen pas. Ata mbërritën në Komisariatin e Sarandës, ku kanë denoncuar veprimin e kryer ndaj tyre.

Menjëherë është nisur grupi hetimor në vendngjarje dhe sipas përshkrimit të vetë klandestinëve është bërë e mundur brenda dy orësh arrestimi i njërit prej grabitësve, 23-vjeçarit Armando Shabani, banor i fshatit Vrinë. Ai rezultonte me precedent penal, pasi tre vjet më parë ka kryer vjedhjen e një banese në qytetin e Sarandës.

Por ndonëse në atë kohë policia deklaroi se bashkëpunëtorët e 23-vjeçarit ishin identifikuar dhe kapja e tyre ishte çështje orësh, pas nëntë muajsh nga ngjarja, ata ende nuk janë ndaluar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›