Denoncimet për korrupsion, në Tatime mbërrijnë 58 denoncime në numrin jeshil
Rreth 58 raste të shkeljes së ligjit apo abuzime tatimore janë denoncuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve pas publikimit të "numrit jeshil" më 10 korrik të këtij viti. Burime zyrtare të DPT-se thanë dje se pjesa dërrmuese e shkeljeve ka ardhur nga biznesi i vogël, ndërsa për punonjësit e administratës tatimore nuk ka pasur asnjë denoncim. "Nga këto 58 raste janë verifikuar dhe kontrolluar më shumë se 70 për qind e tyre, ndërsa pjesa tjetër është në proces verifikimi",- thanë burimet, duke shtuar se nga verifikimi dhe kontrolli i ushtruar në subjektet e denoncuara, nga strukturat pranë Drejtorisë së Hetimit Tatimor në DPT, më shumë se gjysma e tyre rezultojnë me shkelje të ligjit, për të cilat janë zbatuar penalitetet përkatëse bazuar në legjislacionin tatimor në fuqi. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, në një letër të disa ditëve më parë, drejtuar administratës tatimore dhe biznesit, apelonte për denoncimin e shkeljeve të ligjit dhe të abuzimeve nga ana e inspektorëve tatimorë. Zyra e Denoncimeve nga Publiku funksionon që prej datës 10 korrik të këtij viti, duke i dhënë mundësi publikut të gjerë të ofrojë informacion mbi rastet abuzive të evazionit fiskal dhe korrupsionit nga subjekte tatimpagues apo edhe punonjës të Administratës Tatimore.
Administrata tatimore, hyjnë në fuqi pagat e reja
Administrata tatimore do të marrë shtesat mbi pagë, miratuar nga qeveria katër muaj më parë. Vendimi hyri dy ditë më parë në fuqi në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 1 maj, sikurse u veprua me administratën shtetërore, e cila përfitoi rritje page. Shtesa vjetore për vjetërsi pune mbi pagë do të jetë 2 për qind, kurse shtesat për kushtet e punës janë vendosur në varësi të pozicionit. Kreu i Tatimeve do të marrë pagë bruto 105 mijë lekë, si dhe 20 mijë lekë shtesë për kushtet e punës. Zëvendësdrejtorët e përgjithshëm do të kenë 88 mijë lekë pagë mujore, dhe 15 mijë lekë shtesa. Për pozicionin drejtor drejtorie në administratën qendrore dhe krerëve nëpër rrethe, pagat e reja do të jenë 69 mijë lekë dhe 15 mijë lekë shtesë. Të gjithë përgjegjësit, shefat e sektorit që punojnë në Drejtorinë e Përgjithshme dhe drejtorët e drejtorive nëpër rajone, do të marrin pagë 52 mijë lekë në muaj, duke nisur nga shtatori. Për inspektorët e rangut të dytë, specialistët në Drejtorinë e Përgjithshme, inspektorët e Hetimit, do të kenë rrogë 41 mijë lekë në muaj dhe shtesë 12 mijë lekë. Punonjësit e kategorisë nëninspektor paguhen me 27 mijë lekë në muaj dhe shtesë për kushtet e punës 10 mijë lekë. Të renditur në kategorinë IV a dhe b, sekretarët e DPT-së dhe të drejtorive në rrethe do të marrin paga të reja, përkatësisht 31 mijë dhe 23 mijë lekë në muaj, si dhe 5 mijë lekë për kushtet ku operojnë.
Konfindustria: Bankat kanë rritur tarifat e shërbimeve për biznesin
Konfindustria do t’i kërkojë qeverisë shqiptare në mënyrë zyrtare që në një kohë sa më të shpejtë, të shfuqizojë detyrimin ligjor të marrë në vitin 2007 për kalimin e jo më pak se 90% të pagesave vjetore të bizneseve nëpërmjet sistemit bankar. Shkak për kërkesën e Konfindustrisë janë bërë shqetësimet e vëna re ditët e fundit se mjaft banka të nivelit të dytë kanë rritur vlerën e komisioneve bankare, që bizneset dhe qytetarët duhet të paguajnë për transaksionet, që kryejnë nëpërmjet bankave. “Ngritja e menjëhershme e komisioneve bankare, që bizneset janë të detyruar të paguajnë, godet në radhë të parë industrinë e vendit, sepse nga njëra anë rrit në mënyrë të paarsyeshme kostot e prodhimit dhe nga ana tjetër ul fuqinë blerëse të qytetarëve. Kostot financiare shtesë që bizneset dhe qytetarët paguajnë për komisionet bankare shkojnë për të rregulluar bilancin e keqësuar të bankave, si pasoje e tkurrjes së kredidhënies dhe sidomos rritjes në masë shqetësuese të ‘kredive të këqija’ si pasojë e subjektivizmit, korrupsionit dhe menaxhimit jo profesional bashkangjitur me pasojat e krizës botërore në ekonominë shqiptare”,- thuhet në deklaratën e Konfindustrisë. Sipas saj, rasti i mësipërm tregon që tregu bankar shqiptar vepron në kushtet e një sistemi oligopol dhe ka nevojë për rregullime rrënjësore.
29 Gusht 2009