E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mikrokredia rurale, financohen 900 fshatra në të gjithë vendin



Ervin KOÇI

Mikrokredia tashmë është bërë një mbështetje për shumë fermerë dhe aktivitete të ndryshme në shumë zona rurale të vendit. Kur bankat tregtare të nivelit të dytë nisën të shtrëngojnë kushtet për të dhënë kredi, institucionet e mikrokredisë u bënë “varka shpëtimi” për fermerët dhe aktivitetet e ndryshme në zonat rurale. Ndërsa bankat e nivelit të dytë kanë ulur nivelin e kreditimit në muajt e fundit, e kundërta ka ndodhur me institucionet e kursim-kreditit. Ato kanë vazhduar të mbështesin me kredi, por edhe me shërbime të reja anëtarët e tyre, madje dhe ata të regjistruar rishtas. Deri tani në vend janë disa shoqëritë që po financojnë fermerët vendas me mikrokredi duke e shtrirë aktivitetin e tyre në mbi 900 fshatra të shtrira në 16 rrethe të vendit. Brenda këtij 6-mujori, rrjeti i këtyre shoqërive është i pranishëm edhe në dy rrethe të tjera të vendit, përkatësisht në Pogradec dhe Malësi e Madhe. Po gjatë kësaj periudhe është rritur me mbi 1500 vetë numri i anëtarëve në këtë rrjet, duke çuar anëtarësimin e përgjithshëm në rrjetin e Shoqërive Kursim-Kredi në mbi 26.000 vetë. Këta tregues flasin edhe një herë për zgjerimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të aktivitetit të mikrokredive në zonat rurale, në mbështetjen financiare të fermerëve dhe në aktivitetet e tyre prodhuese. Mbështetja reale në shërbim të fermerëve vjen në dy aspekte, si në kredidhënie dhe në depozita për ta në mbështetje të prodhimit në zona rurale. Më e fundit e kësaj stine është edhe depozita verore për fermerët deri në 500.000 lekë.

Përdorimi i mikrokredive

Interesi për të marrë kredi nga institucionet e mikrofinancës është gjithnjë në rritje, por arsyet pse fermerët apo individët e kërkojnë atë për të zhvilluar aktivitetin kanë një ndryshim në varësi të zonës ku jetojnë. Disa syresh e kërkojnë kredinë për të zhvilluar më tej aktivitetin bujqësor, e disa të tjerë për të zgjeruar tregtinë e nisur. Nëse në jug pranë SHKK-ve, merret kredi edhe për zhvillimin e aktivitetit të turizmit, në veri kredia më së shumti merret për bujqësi apo blegtori. Në qytetin e Vlorës, kërkesa për kredi bëhet edhe për turizmin, por edhe vreshtari dhe pajisje tregtie. Sipas të dhënave në Vlorë, rreth 40 për qind e kredisë në 2008 është dhënë për sektorin e tregtisë, ndërsa 60 për qind është dhënë për sektorin e shërbimit dhe të bujqësisë. Ndërsa në qytetet e veriut, ky proces i përshtatet dhe riteve të zonave. Besueshmëria tek kredimarrësi krijohet dhe bazohet edhe tek virtyti i tyre, tek besa. Një burrë i besës mban fjalën dhe pse jo, kjo mes tyre shërben si garanci për kthimin e kredisë. Në veri, kërkesat kryesisht për kredi janë për bujqësi, sera dhe blegtori.

Financuesit

Mikrofinanca tashmë është bërë pjesë përbërëse e shumicës së politikave publike në luftën kundër varfërisë dhe shpesh përgjigje e disa objektivave të zhvillimit të Milenium-it. Mikrokredia ka ndihmuar në uljen e varfërisë në botë, por edhe në Shqipëri, sidomos pas një rritjeje të fortë të ofertës këto 20 vjetët e fundit. Dy ngjarje të rëndësishme kanë ndikuar për një mediatizim të fortë të mikrofinncës: viti 2005 që u quajt “viti i mikrokredisë” nga OKB dhe në tetor 2006, Muhammad Yunus i “Grameen Bank” mori çmimin “Nobel të Paqes”, në emër të luftës kundër varfërisë dhe demokratizimit. Në Shqipëri mikrofinanca filloi të gjejë terren që nga fundi i vitit 1992, në kuadrin e një programi për lehtësimin e varfërisë, në zonën rurale. Sot në vend operojnë me sukses disa institucione mikrofinance si “Unioni SHKK”, “Fondi Besa”, “Opportunity Albania”, “FFZM”, “Unioni Jehona” etj. Në fund të vitit 2008, sektori i mikrofinancës në Shqipëri rezultoi me një tepricë kredie mbi 144 milionë dollarë të shpërndara në më shumë se 50.000 klientë aktivë. Sektori i mikrofinancës është tashmë pjesë përbërëse e sektorit financiar në Shqipëri dhe vit pas viti ka treguar rritje. Të gjendur në kushtet e një krize ekonomike globale, gjatë 2008 sektori i mikrofinancës në Shqipëri nuk ka ndjerë ndonjë efekt negativ si mungesë likuiditeti apo rritje të borxhit të keq. Përkundrazi, ky sektor është karakterizuar nga një rritje e dukshme në treguesit kryesorë të saj, si ato të shtrirjes ashtu dhe të aktivitetit financiar (mikrokredi dhe depozita). Gjatë 2008, asetet në sektorin e mikrofinancës janë rritur me 23.8 milionë dollarë, teprica e kredisë me 14 milionë dolarë, portofoli i depozitave me mbi 2 milionë dollarë dhe huamarrësit aktivë me 8.265 klientë.

29 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›